Qeveria ka depozituar në Parlament projektligjin, me të cilin u jep mbrojtje ligjore "sinjalizuesve" mbi informalitetin, ose siç njihen ndryshe në gjuhën e përditshme "spiunët".

Institucioni që ka mbi 100 punonjës dhe çdo biznes privat me mbi 80 të punësuar, do të detyrohet me ligj që të krijojë një njësi të posaçme për "spiunët".

Këta të fundit kanë si detyrë të denoncojnë shefat e tyre për rastet e korrupsionit dhe do të fitojnë statusin e veçantë të sinjalizuesit, vetëm në rast se do të denoncojnë pranë njësisë së posaçme që do të krijohet atëherë kur shihen shkelje nga eprorët e tyre, kompania apo institucioni ku ata punojnë.

Projektligji i propozuar, përveç institucioneve shtetërore, të cilat synojnë të luftojnë korrupsionin, njësia e posaçme do të krijohet edhe te bizneset private.

Bizneset rrezikojnë deri në 100 mijë lekë (të reja) gjobë në rast se nuk e krijojnë këtë strukturë, pas hyrjes në fuqi të ligjit të qeverisë.