Një ligj i sjellë nga qeveria për shpronësimet me interes publik lidhur me investitorët strategjikë parashikon ndërhyrjen e shtetit në favor të sipërmarrësit të madh nëse nuk arrihet marrëveshja mes palëve. Është pikërisht projektligjit për disa shtesa e ndryshime në ligjin "për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik" që duket se prek të drejtën e garantuar në kushtetutën për pronën. Projektligji i sjellë dje për diskutim në Komisionin e Ligjeve hasi jo vetëm kundërshtinë e opozitës e cila e cilësoi si antikushtetuese por edhe të disa deputetëve socialistë. Ndërkaq përfaqësuesi i ministrisë së Ekonomisë. Z.Stefani bëri të ditur detajet e ligjit që më pas sollën debatin e fortë mes palëve. "Investitori strategjik në pjesën e pasurisë së paluajshtme ku është pronare një x person privat, duhet të hyjë në marrëveshje me të, me të gjitha format e marrëveshjes. Në rast se është e pamundur kjo, bëhet me ndërmjetësimin e AIDA-s e cila do jetë koordinatorja mes privatit dhe investitori. Në rast se është e pamundur dhe interesi vlerësohet se duhet patjetër ky projekt i paraqitur nga investitori atëherë do të jepet miratimi nga qeveria për shpronësimin. Që në momentin kur merr statusin e veçantë ai është filtruar në të gjitha marrëveshjet që ka arritur me pronarin privat. Në të kundërt në rast se nuk ka plotësuar kushtet e marrëveshjes nuk merr statusin e investitorit strategjik", theksoi ai.