Investuesit e huaj nuk do të mund të gjejnë ndonjë vend me më pak obligime ndaj punëtorëve se në Kosovë. Për hatër të tyre, Qeveria e Kosovës ka reduktuar në maksimum obligimet e punëdhënësit ndaj punëtorit. Mjafton që punëdhënësi t’ia lëshojë të punësuarit kontratën, në të cilën përcaktohet paga, orari i punës dhe pushimi vjetor. Përpos pagës, të vetmin obligim financiar shtesë punëdhënësi do ta ketë ndaj femrave, të cilave duhet t’ua paguajë 3 muaj të lehonisë.



Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se e kanë bërë një Ligj të Punës për ta bërë Kosovën vend atraktiv për investuesit sa i përket obligimeve ndaj punëtorëve.

Në këtë ligj nuk do të ketë pagesa të obliguara për shujtën, për fondin social e as për pagën e 13’të. “Janë hequr pjesët që kanë qenë obligative, të cilat e kanë ngarkuar buxhetin dhe janë bërë joobligative”, thekson Shala.



Sipas tij, nga 60 milionë euro sa ishte thënë se do të kushtojë fillimisht zbatimi i ligjit, pastaj i reduktuar në 5 milionë, kostoja përfundimtare do të jetë vetëm 1.8 milionë euro.

“Kostoja e përgjithshme e këtij ligji është vlerësuar të jetë rreth 1.8 milionë euro dhe është pjesë e paketës fiskale e diskutuar me FMN-në, ku edhe është përfshire në marrëveshjen e arritur me këtë institucion”, ka pohuar Shala. Megjithatë, kjo nuk i ka përmbushur pritjet e sindikalistëve.



Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se janë duke i përgatitur amendamentet që në komision parlamentar ta ndryshojnë disa nene dhe t’u sigurojnë punëtorëve së paku shujtën dhe pagën e 13’të. “Të gjithë udhëheqësit e grupeve parlamentare e kanë kritikuar në Parlament ligjin më shumë se unë. Ne do t’i nxjerrim sugjerimet tona në formë të amendamenteve. Kështu nuk është ligj i përshtatshëm”, thekson Arifi.



Por, ai pranon se është shumë e vështirë të ndryshohet në masë të madhe, pasi që, sipas tij, qeveria është ajo që ka fjalën e fundit. Ai jep një version tjetër të kostos së ligjit. Sipas Arifit, ligji fillimisht kushton 6 milionë euro dhe për çdo vit qeveria obligohet t’i ndajë për veç këtyre gjashtë milionëve, edhe nga 1.8 milionë euro shtesë. Ndërkaq, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, vlerëson se sa më të vogla që janë obligimet financiare të caktuara me ligj, aq më mirë do të jetë për punëdhënësit.

Në mungesë të buxhetit, sipas tij, të gjitha kërkesat e sindikatave për financim, përveç lehonisë, janë hedhur poshtë nga qeveria, pasi që nuk kanë qenë në harmoni me kornizën afatmesme të shpenzimeve.



“Në aspektin e kostove, ligji nuk adreson gjithçka”, thotë Rukiqi. Ai tregon se ligji ka siguruar bazë që shumë çështje në raport të punëdhënësve dhe punëmarrësve të rregullohen me marrëveshjet kolektive. Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se ulja e kostos financiare të këtij ligji, duke hequr kërkesat e punëtorëve nga ligji, vë në pikëpyetje nëse do t’i kënaqë interesat e të dyja palëve.



“Ende mund të korrigjohet dhe të avancohet në mënyrë që së paku t’i kënaqë përafërsisht interesat e punëdhënësve dh punëmarrësve”, thekson Shahini. Sipas tij, pavarësisht se fondet sociale në Kosovë janë të limituara dhe derisa nuk ka fonde për avancim të zhvillimit duhet të mendohet për një pako sociale për një kohë të caktuar për t’i stimuluar punëtorët, duke gjetur forma të regresit për ta. Megjithatë, ky ligj do të qartësojë pozicionin e punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe do t’i bëjë partnerë më realë dhe më të qëndrueshëm.



Obligimet e Ligjit të Punës



- Në bazë të ligjit, orari i plotë do zgjasë 40 orë në javë, ndërsa ky orar shkurtohet në përpjesëtim me rrezikshmërinë për shëndetin dhe aftësinë e të punësuarit.

- I punësuari do të ketë të drejtë pushimi vjetor prej 20 ditë pune, ndërsa ky pushim është edhe më i gjatë për disa kategori të veçanta (nënat me fëmijë deri në 3 vjet, prindi i vetëm, personat me aftësi të kufizuar)

- Ligji e obligon punëdhënësin të kompensojë punonjësen për tre muaj, përderisa për tre muajt vijues kompensimi bëhet nga programi i veçantë i MPMS-së. Pas përfundimit të pushimit gjashtëmujor të përcaktuar me ligj, lehonat kanë të drejtë të kërkojnë edhe tre muaj shtesë pushim pa pagesë. (Ky pushim shtesë mund të zgjatet dhe për një muaj me rekomandim të mjekut )

- Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtën e pagës shtesë.



Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë si më poshtë:

1. 20 % në orë për kujdestari;

2. 30 % në orë për punë gjatë natës;

3. 30 % në orë për punë jashtë orarit;

4. 50 % në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe

5. 50 % në orë për punë gjatë fundjavës.