Pavarësisht se disponuesit e një mjeti motorik kanë hasur deri më tani abuzim me çmimet e siguracioneve të makinave, ky “abuzim” tani do të mbrohet me ligj. Në këtë mënyrë, Ministria e Financave ka vendosur të ligjërojë informalitetin e evidentuar në tregun e sigurimeve, duke tentuar ta liberalizojë këtë treg. Nisur pikërisht nga informaliteti i këtij tregu, pak kohë më parë Ministria e Financave hartoi një projektligj. Ligji në fjalë hyn në fuqi në fund të muajit gusht, që do të thotë se të gjitha kompanitë do të operojnë me çmimet e tyre. Tabela e çmimeve nuk do të jetë më e unifikuar dhe e përcaktuar nga Ministria e Financave. Me ndryshimet e bëra në ligj, do të jenë vetë kompanitë të cilat do të vendosin në mënyrë të pavarur tarifat e primit të sigurimit sipas kushteve të tregut, por më parë do të duhet të njoftojnë zyrtarisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Ligji i ri dikton Autoritetin Mbikëqyrës Financiar të miratojë rregullat për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e provigjioneve teknike. Shoqëria e sigurimit përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas kushteve të tregut dhe fillon t’i zbatojë ato, pasi ka njoftuar zyrtarisht Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Megjithëse tarifat do të liberalizohen, ndryshimet në ligj parashikojnë që shoqëritë e sigurimit të krijojnë rezervat teknike (provigjionet) jo më pak se niveli i rezervave teknike të përcaktuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti gëzon, sipas ndryshimeve të bëra në ligj, të drejtën e miratimit të rregullave për përcaktimin e kushteve të përgjithshme të sigurimit të detyrueshëm dhe nivelin e rezervave teknike. Autoriteti diktohet nga ligji, që, nëqoftëse konstaton se kushtet e përgjithshme të sigurimit nuk janë në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore, miraton vendime të cilat trajtojnë mënyrën sipas së cilës shoqëria e sigurimit duhet t’i përputhë ato. Gjithashtu ligji parashikon, si rezultat të liberalizimit, ndryshime edhe në sanksionet që do të vendosen në këto raste. Aktualisht të gjithë zotëruesit e një mjeti motorik, pavarësisht kategorisë, paguajnë siguracionin T.P.L të makinës së tyre, sipas fuqisë së motorit të tyre dhe sipas një tabele unike të përcaktuar nga Ministria e Financave. Për shembull, një shtetas shqiptar që zotëron një autoveturë me fuqi motorike mbi 1500 kubikë, për të lëvizur në territorin Shqiptar paguan për të prerë këtë siguracion 5400 lekë, ndërsa për një autoveturë me një motor deri në 1600 kubikë 8000 lekë. Por, nga një vëzhgim që bëri ditën e djeshme gazeta MAPO, në agjencitë e sigurimit të makinave, rezultoi sipas zërit të agjentëve se në këtë treg ka abuzime si nga agjentët, po ashtu edhe nga klientët që posedojnë një mjet motorik. Sipas tyre, arsyeja është fitimi në lekë dhe thithja e klientelës nga ana e agjentëve duke ulur çmimet.