Autori i Lajmit: red.
Vendimin e Kuvendit për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve, edhe pas kundërshtimeve të shumta të opozitës dhe ndërkombëtarëve, e ka marrë në mbrojtje dhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Kryeparlamentarja pohoi dje gjatë një takimi me zëvendësambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Aleksandër Fin, se ligji i dosjeve është hartuar në bazë të standardeve të Strasburgut. “Dje Parlamenti votoi ligjin mbi pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Personalisht, e konsideroj këtë një arritje dhe një borxh, ndonëse pak të vonuar, ndaj vuajtjeve dhe kalvarit çnjerëzor që populli shqiptar kaloi për gjysmë shekulli”, - tha ajo. Kryeparlamentrja, në kundërshtim të deklaratave të bëra nga opozita, theksoi se Parlamenti votoi një ligj të standardeve, model i ligjit çek. Ajo theksoi se ky ligj është në bazë të standardeve ndërkombëtare, sepse ka kaluar disa herë në filtrin e gjykatave. “Ligji çek është shqyrtuar dhe miratuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese çeke dhe nuk është vënë kurrë në dyshim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Ajo që është kushtetuese për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe për Çekinë, vend anëtar i BE-së, nuk mund të jetë jokushtetues për Shqipërinë që ka kaluar kalvarin më të egër diktatorial”, - theksoi ajo, duke kundërshtuar deklaratat e numrit dy të deputetëve socialistë, Erion Braçe, sipas të cilit, ligji i dosjeve nuk është sipas modelit çek, sepse atje nuk përmendet verifikimi i gjykatësve apo prokurorëve. Topalli theksoi se nuk ka Kushtetutë në vende të lira që mandatet t i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet. “Ata dhjetëra e mijëra shqiptarë që u burgosën e u pushkatuan, u martirizuan për parimet e Kartës së Helsinkit, për principet që mbron edhe OSBE-ja”, - tha ajo. Kyetarja e Kuvendit theksoi më tej se mazhoranca ka të gjithë vullnetin të garantojë transparencë të plotë në zbatimin e këtij ligji në përputhje me standardet e parashikuara nga Strasburgu.



Ky lajm është publikuar: 24/12/2008