Sot është krijuar Akademia e 100 Fshatrave, të cilën kryeministri Edi Rama e përshkroi si një rrjet bashkëpunimi mes qeverisë dhe botës universitare, për projektet e programit të Rilindjes Rurale në funksion të 100 fshatrave të përzgjedhur për tu kthyer në destinacione të reja turistike.


Në fjalën e tij, Rama theksoi se zhvillimi do të jetë i dukshëm në këto 100 fshatra, pavarësisht se sot duket e pamundur.


Do të nxjerrim në pah zhvillimin kudo që mundësitë për të zhvilluar blegtori e bujqësi intensive janë aktualisht të kufizuara. Agroturizmi si një mekanizëm i tërheqjes drejt fshatit, falë vlerave historiko-kulturore dhe historive për të treguar është një instrument shumë efikas i papërdorur deri më sot për të dalë nga varfëria. Shqiptarët e kanë treguar aftësinë për tu adaptuar dhe për të aplikuar shembuj dhe modele të suksesit të para nëpër botë dhe ky është pikërisht objektivi. Të krijojmë shembuj të prekshëm suksesi që ti hapim sytë shumëkujt për atë që ka përpara syve dhe që sjell zhvillim, tha Rama.


Ai gjithashtu theksoi se projekti do të shërbejë për të kthyer vëmendjen e emigrantëve nga vendi i tyre, për të nxjerrë të ardhura dhe do të çlirojë energji e besim se Shqipëria mund të bëhet.


Nuk na mungon pasuria, na mungojnë rrugët e dijes. Dhe ky projekt është një rrugë dije që i vendoset në dispozicion njerëzve të zakonshëm, që të fitojnë të ardhura me pasurinë që iu afron natyra dhe të shikojnë të ardhmen aty ku është toka e prindërve. Ky do të jetë programi i një kthese të fuqishme në marrëdhënien mes emigrantëve kudo ndodhen dhe fshatit të tyre, jo si nostalgji por si instrument fitimprurës, ku investimi do të sjell fitime më shumë se në emigracion, theksoi kryeministri.


16 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)