Në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në mesditën e së enjtes u bë promovimi i librit "Lindja e Mesme - Historia dhe Politika", e autorit Zenun Halili.



“Në botën perëndimore është shkruar shumë për lindjen e mesme. Si student i shkencave politike në ShBA, jam inkurajuar t’i hyj një pune të rrezikshme”, u shpreh autori i librit Zenun Halili, në rastin e promovimit.



Të pranishëm në këtë promovim për t’i thënë pak fjalë për rrugëtimet e autorit në librin e tij, ishin dhe recensentët e librit.



“Libri flet për domosdonë e transformimit të sistemit tradicional të vlerave, autori identifikon komponentë të caktuara të kulturës politike”, u shpreh drejtori i KIMP-it, Leonard Ibrahimi.



Sipas Ibrahimit, libri mund të na shërbejë si udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit politik.



Sipas Arsim Bajramit, recensent i librit, “Lindja e Mesme” e Zenun Halitit, është libër i veçantë në literaturën juridike e politike, si dhe nga librat e rrallë në gjuhën shqipe që i kushtohet shteteve të Lindjes së mesme.



“Në Kosovë është më i preferuar studimi mbi sistemet qeverisëse evropiane, ndërsa shtetet e Lindjes së Mesme nuk kanë qenë objekt i studimit shkencor. Megjithëse këto shtete nuk janë faktor i rëndësishëm ekonomik, këto janë faktor i rëndësisë”, u shpreh Bajrami.



“Në këtë libër është bërë analizë e hollë e interesave dhe kundërthënieve politike, përpjekjeve të këtyre popujve që duke ruajtur traditën e vetë të arrijnë një shkallë të modernizimit politik”, tha Sali Kelmendi, recensent i librit.



Sipas Kelmendit, libri në mënyrë shumë besnike dhe të qartë ofron një pasqyrë edhe të kaluarës dhe të aktualitetit në Lindjen e mesme, problematikë e cila gjithherë është aktuale.



Ky libër është botim i Institucionit Kosovar për Media dhe Politika.