Tashmë “Audi” vjen me modelin e së ardhmes. Dizajneri turk, Ugur Sahin, është shprehur se frymëzimin kryesor e ka marrë nga natyra. Sipas tij, njerëzit nuk vërejnë linjat, format dhe lakimet e ndryshme në natyrë. Për këtë arsye, koncepti i tij bazohet në linja të kompozuara, të cilat relaksojnë dhe njëkohësisht japin “energji”. Koncepti i ri ruan bazat e njohura të automjeteve “Audi”, pjesën e përparme e ka të gjerë, ndërsa kulmi i ngjan modelit “Audi TT”. Koncepti “Locus” e ka pjesën e pasme agresive, me drita të errëta të frenave. Karakteristikë e “Locus”-it është se shfrytëzon shumë qelqin, me qëllim që udhëtarët të ndiejnë se kanë më shumë hapësirë kur janë brenda.
“Leon Twin Drive”, hibrid ekologjik nga “Seat”
“Seat”, në qendrën teknike afër qytetit të Barcelonës, ka paraqitur prototipin e automjetit hibrid, i cili punon me naftë dhe energji elektrike. Modeli bart emrin “Leon Twin Drive Ecomotive”, ndërsa shitja e tij pritet në vitin 2014. “Seat” ka paralajmëruar se modeli i ri do të mund të punojë ekskluzivisht me energji elektrike gjatë në mjediset urbane, respektivisht në distanca të shkurtra, ndërsa në kilometra më të mëdha motori do të aktivizohet me naftë. Punët janë ende duke u kryer te frenat, gomat, sistemet e ftohjes, ndërsa inxhinierët e prodhuesit “Seat” theksojnë se do të nevojiten ndryshime thelbësore në elektronikën e modelit e ri. “Leon Twin Drive Ecomotive”, i cili për punë aktualisht përdor bateritë litium-jon, jep të kuptojmë se “Seat” edhe në të ardhmen do të punojë në zhvillimin e modeleve “të gjelbra”.