Liri në Breman e autorit Rainer Werner Fassbinder do të jetë premiera e dytë që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar/ Shpallet audicioni për rolin kryesor


Liri per te dashur (1)

Director Rainer Werner Fassbinder

Liri per te dashur (5)


Rainer Werner Fassbinder, një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë dhe teatrit të ri gjerman, është autori i përzgjedhur nga bordi artistik i Teatrit Kombëtar për tu ngjitur së shpejti në skenë. Vepra Liri në Breman e frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë e vitit 1831, i flet realitetit të sotëm, duke u nisur nga ngjarjet që dëgjojmë çdo ditë në media me krimin apo dhunën në familje. Nën regjinë e Sesilia Plasarit, kjo do të jetë premiera e dytë e teatrit gjatë sezonit artistik 2014-2015, pas dramës së nobelistit amerikan, Eugene ONeille udhëtimi i gjatë drejt natës që u ngjit në skenë dy javë më parë. Duket se orientimi i teatrit do jetë drejt veprave që mbartin mesazhe aktuale për kohën dhe shoqërinë. Çdo edicion lajmesh në Shqipëri dëshmon se fenomeni i krimit në familje po merr përpjesëti gjithnjë e më mbresëlënëse. Vatra e ngrohtë e komunikimit njerëzor po shpërfaqet në këtë vend gjithnjë e më shpesh si vatër e tmerrshme konfliktesh me karakter tragjik. Ky shqetësim, e shtyn Teatrin Kombëtar ta konsiderojë këtë temë me përparësi. Në mbledhjen e fundit, bordi i këtij teatri vendosi të miratojë vënien në skenë të veprës Liri në Bremën e autorit gjerman, Rainer Werner Fassbinder, e cila e trajton në mënyrë komplekse dhe origjinale temën e krimit në familje, thuhet në njoftimin e teatrit. Pjesa është një lloj parabole tragjiko-komike e vështirësisë ose e pamundësisë për tu emancipuar në kushtet e një pamundësie për të komunikuar, për shkak të konvencioneve sociale, paragjykimeve dhe dritëshkurtësisë, injorancës dhe mungesës së tolerancës. Ajo merret më shumë me shkaqet që fabrikojnë pasojën, sesa me atë vetë, me mekanizmin që e pjell monstrën. Është gjithashtu një skicë në miniature e mënyrës se si ngjizet fashizmi, fenomeni i dhunës dhe diktatura, një reflektim për ndarjen e përgjegjësisë. Vepra frymëzohet nga një ngjarje e vërtetë e Bremenit të vitit 1831. Ekzekutimi i fundit publik me prerje koke, i një gruaje që kish helmuar me arsenik pesëmbëdhjetë persona të familjes. Gjenia e Fassbinder-it nxjerr nga kjo ngjarje e kronikës së zezë një tragjedi agresivisht naive të jetës sociale. Personazhi kryesor i veprës, Geshe-ja, vjen si një luftëtare spontane e përpjekjes së gruas për emancipim. Dhunën e saj e pjell ëmbëlsia e saj dhe ajo çka duket si diabolike vjen nga marrëdhënia e saj me Zotin, nga respekti për atë çka ajo e ndien si të shenjtë: Ajo vret për të çliruar shtypësin ashtu edhe të shtypurën. Krimi nuk mund të të bëjë të lumtur, por ai e ndihmon heroinën e pjesës të emancipohet dhe të shijojë lirinë. Ajo vuan shtypjen e një burri alkoolik dhe të dhunshëm, e një të dashuri mashtrues dhe cinik, e dy prindërve autoritarë dhe të pamëshirshëm etj Helmi vepron pikë-pikë, familja shuhet pak e nga pak. Geshe tenton të jetojë lirinë që i nevojitet, liri për të dashur, për të menduar, për të punuar. Ata që e pengojnë në rrugën e saj ajo i heq si me dorë. Një shtypje dhe një vuajtje shumë e madhe e shtyjnë në këtë rrugë pa kthim. Pas çdo etape të udhës së krimit ajo paradoksalisht zbukurohet, lulëzon dhe, ndonëse shkon dhe vetë drejt vdekjes shkon e lirë, duke e tejkaluar vetveten, duke refuzuar rolin e viktimës për të rënë në atë të xhelatit. Sesilia Plasari rikthehet si regjisore në skenën e teatrit pas shfaqjes së Andre Roussin Kasollja e vogël me të cilën u vlerësua tri ditë më parë edhe si regjisorja më e mirë e vitit nga Akademia e Çmimeve Kult. Rainer Fassbinder është një nga figurat më të njohura të kinemasë dhe teatrit gjerman. Autor i mbi 40 filmave dhe mbi 20 pjesëve dramaturgjike, Rainer pati një jetë të ngjashme me filmat që realizoi. Tepër i ndjeshëm ndaj temave të kohës, ai solli në kinema apo teatër ngjarje që i mori nga jeta. I dashuruar pas lirisë, ai nuk mundi ti shpëtonte një vesi ku gjente gjithnjë shpëtim, siç ishte alkooli dhe droga. Ai jetoi shpejt e iku shpejt pa i mbushur të 40-tat.


 


Audicioni


Kërkohet aktore femër 28-42 vjeç


Teatri Kombëtar ka hapur audicionet për rolin kryesor në veprën Liri në Brehman e autorit gjerman, Rainer Werner Fassbinder. Audicioni do të mbahet në ambientet e Teatrit në datën 19 qershor dhe do të vazhdojë aq ditë sa të jetë e nevojshme. Kërkohet aktore femër e moshës 28-42 vjeç për të interpretuar rolin kryesor, atë të Geshës, e cila nga mungesa e lirisë shkon drejt një zgjidhjeje tragjike.



Ky shkrim Liri, për të dashur u publikua me pare te Gazeta SHQIP.