Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e shoqëruar nga Drejtorët e Përgjithshëm të Hipotekës, ALUIZNI-t dhe Burgjeve, zhvilloi një vizitë pune në Qarkun e Korçës në agjencitë e varësisë. Ministrja Gjonaj zhvilloi edhe një vizitë blic në IEVP Drenovë, pas shkarkimit të drejtorit, i cili lëshoi një raport për sjellje pozitive të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Gerd Gjenerari.


Ministrja tha se shkelje të tilla jo vetëm nuk do të tolerohen, por do të vlejnë si shembull për drejtuesit e tjerë. Nuk do të tolerojmë askënd që shkel ligjin, shprehet Gjonaj. Së fundmi, u diskutuan edhe çështje të tjera si rritja e sigurisë në sistemin penitenciar dhe rritja e profesionalizmit të punonjësve në burgje.


Fast Track


Gjate vizitës së Gjonajt në Korçë, u prezantua në Zyrat e ZRPP shërbimi Fast Track, i cili në Tiranë ofrohet prej disa muajsh dhe ka rezultuar model suksesi. Me Fast Track, qytetarët marrin 9 shërbime në vetëm 24 orë. Fast Track, ka sjellë një revolucion të vërtetë në ZVRPP e vendit, ku qytetarët pa humbur kohë dhe pa kurrfarë burokracie, përfitojnë shërbime cilësore, e çfarë është më e rëndësishmja, nuk ka më asnjë hapësirë për korrupsion, thekson Gjonaj.


Ndërkohë, vlerësoi edhe punën e ZVRPP Korçë, ku gjatë vitit 2018 trajtoi një numër rekord certifikatash pronësie,  rreth 90% të lejeve të legalizimit që ju përcollën nga ALUIZNI.


Më pas, ministrja Gjonaj e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, zhvilloi një analizë pune në zyrën vendore të ALUIZNI-t Korçë. Gjonaj theksoi se detyra e personelit është tu shërbejnë në kohë dhe me cilësi qytetarëve, dhe ky duhet të jetë fokusi primar i të gjitha agjencive të varësisë./PANORAMA