Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë ishte baza e fundit e revoltës studentore, pasi ndryshe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë u mbajt për mëse dy muaj i bllokuar nga studentët.


Por edhe bojkoti e ngujimi në këtë fakultet ka marrë fund sot, teksa të gjithë kanë vendosur të rikthehen në auditore për të frekuentuar orët mësimore, pas një letre që i drejtuan dekanit Artan Hoxha.


Mbrëmjen e sotme dhjetëra studentë janë fotografuar duke lëvizur barrikadat që kishin ndërtuar për të bllokuar hyrjen në fakultet dhe i kanë rikthyer bankat e karriget nëpër klasat përkatëse.







Ndërkohë në kërkesat që i kanë paraqitur së fundmi dekanit, studentët e Drejtësisë e kanë ngushtuar kauzën e tyre.


Ndryshe nga asambletë e pedagogëve, të rinjtë nuk kërkojnë rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë, por vetëm një nen, i cili ka të bëjë me programet e studimit në fushën e drejtësisë e specifikisht futjen e provimit të shtetit për të gjithë juristët.


Kësisoj, ligji parashikon drejtësinë si profesion i rregulluar me ligj, ngjashëm me mësuesit e mjekët.