Ukë Rugova ka vendosur përfundimisht të mos jetë pjesë e Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Lista “LDK- Ibrahim Rugova” ka pas vetes së paku edhe tre deputetë të dalë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, deklaron Dardan Gashi, një nga themeluesit e këtij subjekti politik. Ukë Rugova ka vendosur t’i bashkëngjitet koalicionit qeverisës me PDK-në, AKR-në dhe minoritetet.


Vendimi i Rugovës pasoi atë të AAK-së, e cila vendosi përfunimisht të mos hyjë në qeveri me Hashim Thaçin. Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës rreth koalicionit qeveritar ka ndarë përfundimisht rrugët mes kësaj partie dhe Listës “LDK - Ibrahim Rugova”.


Lista “LDK – Ibrahim Rugova” dhe AAK patën lidhur koalicion parazgjedhur me pompozitet dhe pritje të mëdha elektorale. Por, djali i ish-presidentit Rugova, Uka, nuk pajtohet me vizionin e AAK-së për qeverinë e ardhshme të Kosovës. Uka është kandidati i vetëm i Listës që arriti të bëhet deputet.


“Po, definitivisht ne do të veprojmë të pavarur prej AAK-së”, ka thënë të mërkurën për “Express”, Dardan Gashi. Por, në AAK nuk kanë marrë ende asgjë zyrtare se Ukë Rugova nuk do të bëjë pjesë në grupin parlamentar të partisë së Ramush Haradinajt.


“Këtë qëndrim ata nuk na e kanë komunikuar. Përndryshe, rruga e mbarë u qoftë. Por, ne nuk kemi asgjë zyrtare”, ka thënë Besnik Tahiri, këshilltari i liderit të AAK-së.