Mero-BazeNga Mero Baze


Ka një irritim thuajse kombëtar nga lista paraprake e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), që u pranua sot nga Kuvendi i Shqipërisë. Në perceptimin e shoqërisë shqiptare, shumica e atyre anëtarëve, nuk duhet të jenë as gjykatës të thjeshtë pas reformës. Edhe pse shumë prej tyre janë ilustrimi i problemeve reale që ka drejtësia shqiptare sot, guximi i tyre për të kandiduar dhe për tu përzgjedhur në këtë institucion, tregon se sa rezistencë do të ketë reforma nga brenda sistemit.


Por kjo listë, më shumë se sa problemet individuale që ka me shumë prej anëtarëve, është një dëshmi e rezistencës që tentohet ti bëhet reformës, duke e parë nën dritën e zhvillimeve të reja në SHBA. Përkundër pritshmërisë, se shumë prej tyre as nuk do guxonin të testoheshin, ata kanë aplikuar për të qenë në krye të një institucioni të rëndësishëm të sistemit.


Lista dëshmon se në Shqipëri ndjehet një lloj pendese nga disa aktorë politikë që votuan pro reformës, për faktin se janë nxituar që ju nënshtruan presionit të SHBA, pa ardhur ende presidenti Trump në detyrë dhe tani mendojnë se kjo gjë mund të zhbëhet. Edhe pse shumë vulgare edhe për injorantë provincash, disa liderë politikë tek ne, janë çmendur më shumë se sa mendohet, duke besuar dhe teori konspiracioni me rend të ri botëror, apo agjentura të Sorosit. Elita politike shqiptare, nuk ka qenë kurrë më e sëmurë se sot, më banale dhe më e detyruar të prodhojë vulgaritete të tilla. Dhe i vetmi shpjegim është se gjenden në hall, nga rreziku i ndëshkueshmërisë para ligjit.


E thënë haptazi nëpër biseda publike dhe qëndrime politike, kjo tashmë duket se po reflektohet si një revansh ndaj asaj që kanë votuar vetë. Lista e KED është një shembull konkret, se si gjithë njerëzit e PD në drejtësi, kanë aplikuar dhe janë përzgjedhur për këtë institucion, edhe pse shumë prej tyre kanë probleme publike me të shkuarën e tyre, që bie haptazi ndesh me kriteret e vendosura nga reforma.


Vendosmëria e Presidentit për të çuar në emër të KLD një listë të bërë nga lidhje klienteliste, këmbëngulja e kryeprokurorit për të çuar vetëm tre kandidatura për të cilat kam frikë se nuk mund ta kalojnë më as oqeanin si turistë, apo propozime si ato të Gjykatës Kushtetuese, që çojnë si kandidat dy hetues të diktaturës, që ligji i përjashton haptazi, tregon më së shumti një karshillëk ndaj reformës, se sa një seriozitet për të plotësuar institucionin e parë të saj.


Pra përbërja e kësaj liste, ka si tipar kryesor të saj karshillëkun ndaj reformës, dhe jo dëshirën për të ndërtuar një institucion serioz të saj.


Nga ana tjetër, kjo listë do të dëshmojë fuqinë e reformës pasi të kalojë procesin e “Veting”-ut, dhe filtrat e tjerë që duhet të kalojnë deri në emërimin përfundimtar. Vetëm pas kësaj, ne mund të jemi në gjendje të shikojmë se çfarë produkti ka prodhuar reforma. Deri tani mund të shikojmë se çfarë produkti ofron pushteti i PD për reformën dhe si e ka projektuar ai sistemin e drejtësisë në vend.


Ndaj irritimi ndaj listës, është i pakuptimtë, pasi ajo ende nuk është një listë të zgjedhurish dhe të votuarish, por një listë të propozuarish dhe të përzgjedhurish nga pushteti i PD në drejtësi dhe si shenjë karshillëku ndaj reformës, për të cilën ndjehen të penduar që e kanë votuar.


Do të duhet të presim ngritjen e institucionit të “Veting”-ut dhe kalimin në filtër të kësaj liste, për të parë fuqinë reale të reformës. Deri tani jemi duke parë përpëlitjen e fundit të sistemit të vjetër të drejtësisë.