(E plotësuar) Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të dorëzojë nga momenti në moment listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.


Siç raporton agjencia e lajmeve noa.al në qarkun e Tiranës i pari në listën e LSI, është Ilir Meta i ndjekur nga Klajda Gjosha dhe Luan Rama, Ylli Manjani, Ardit Çela dhe Endrit Brahimllari.


Në qarkun e Durrësit kandidojnë Lefter Koka dhe Edmond Panariti, ndërsa në qarkun e Lezhës garon Monika Kryemadhi.


Në vijim në qarkun e Elbasanit kandidon Edmond Haxhinasto i ndjekur nga Bujar Kllogjeri, ndërsa në atë Gjirokastrës Vangjel Tavo, kurse në qarkun e Beratit garon Nasip Naço i ndjekur nga Gledion Rehovica.


Në qarkun e Korçës kandidon Pirro Kapurani, i ndjekur nga Mimoza Gusho.


Në qarkun e Dibrës garojnë Përparim Spahiu, Agim Hysa. Sakaq në qarkun e Fierit kandidojnë Petrit Vasili, Robert Bitri. Në qarkun e Kukësit garojnë Apostol Gaçe, Qemal Elezi. Në Shkodër kandidon Agron Çela i ndjekur nga Nora Malaj.


------


Vetëm pak orë ndajnë nga afati përfundimtar kur forcat politike do të paraqesin listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa situata në kampet e partive të mëdha duket se zien nga vendimet e marra nxitimthi në fund.


Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama doli mesditën e sotme në një konferencë për shtyp, prej ku konfirmoi se ai vetë do të udhëheqë listën e kandidatëve në Vlorë, ndërsa pohoi se do të ketë të larguar për tu zëvendësuar nga prurje të reja të cilat do i shtojnë vlerat Partisë Socialiste.


Gjithsesi, nën zë flitet se ndër deputetët e selisë rozë që nuk do të jenë më në Parlamentin e pas 23 qershorit, janë Marko Bello, Alfred Dalipi, Arben Isaraj, Eltar Deda madje edhe Gazmir Bizhga, shkruan noa.


Gjithsesi ora 00.00 kur është afati final për dorëzimin e dokumentacionit, do të të hedhë dritë plotësisht mbi fatet e të vjetërve socialistë por edhe të rinjve që aspirojnë për tu bërë ligjvënës.


Sakaq Partia Demokratike dhe kreu i saj Sali Berisha kanë qëndruar më në heshtje lidhur me kandidaturat, ndërsa ajo që dihet me siguri është fakti se vetë kryetari i partisë do të udhëheqë fushatën në kryeqytet.


Ndërsa përballë Edi Ramës në Vlorë, fushatën e demokratëve do e drejtojë Astrit Patozi, aktualisht kryetar i grupit parlamentar demokrat.


Jozefina Topalli do të drejtojë Shkodrën, Sokol Olldashi Fierin, Flamur Noka Kuksin, e Ridvan Bode Korçën.


Ndërkaq përballë Sali Berishës në kryeqytet flitet se listën e Partisë Socialiste do e udhëheqë Pandeli Majko, i ndjekur nga Lindita Nikolli. Ajo që përflitet nga kampi i mazhorancës është edhe përfshirja e kryetarëve të partive aleate në listat e Partisë Demokratike, mes tyre Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Nard Ndoka e Dashamir Shehu.


Gjithsesi edhe nga deputetët aktual demokrat pritet të ketë firo, je vetëm për vendet që do zenë kryetarët e partive aleate, por edhe prej përfshirjes në lista të deputetëve të larguar socialistë si Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli e Asllan Dogjani, shoqëruar edhe me prurje të reja nga radhët e demokratëve./Indeksonline/