Nga Express më 07 shkurt 2011 në ora 09:51
Liverpool e ka befasuar Chelsean, duke e mposhtur në Stamford Bridge me rezultat 1:0, në kuadër të xhiros së 26-të të Premierligës angleze.
Goli i mesfushorit Raul Meireles (i cili shfrytëzoi një ngathtësi të mbrojtjes kundërshtare) në minutën e 69-të, ka qenë fatal për skuadrën e Carlo Ancelottit, e cila shpresonte në fitore, për tiu afruar liderit Manchester United, që dështoi të shtunën ndaj Wolverhamptonit.
Chelsea nuk e ka shfaqur lojën e saj më të mirë. Madje, ekipi Reds ka mundur të kalonte në avantazh qysh në pjesën e parë, kur Maxi Rodriguez dështoi nga afërsia, duke e goditur shtyllën.
Pas kësaj fitoreje, Liverpool ngritet në pozitën e gjashtë të Premierligës me 38 pikë të grumbulluara, derisa Chelsea mbetet në vendin e katërt me 44 pikë, 10 më pak se kryesuesi Manchester United.
Xhiron e ardhshme, Chelsea do të jetë mysafir i Fulhamit, kurse Liverpool e pret Wiganin. Në këtë ndeshje, te Chelsea debutoi sulmuesi spanjoll Fernando Torres, i cili luajti pikërisht kundër ish-skuadrës së tij, Liverpool.