Kryeprokurori Adriatik Llalla duke marrë shkas nga rastet e shumta të sekuestrimit të lëndëve narkotike në vendin tonë, deklaroi se tashmë procedura e asgjësimit do të bëhet në prani të një prokurori. Ai paralajmëroi se do të ashpërsohet gjuha për të gjithë rastet kur evidentohen shkelje të detyrës. Në një takim të përbashket me ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili, Llalla pohoi se ka pasur raste të tilla abuzuese, që kanë marrë ndëshkime.


Një ndër problematikat kryesore dhe çështjet më sensitive është dhe lufta kundër krimit të organizuar. Gjatë kësaj periudhe vijon të jetë tepër shqetësuese fakti se në vend vijon të kultivohen dhe trafikohen sasi të mëdha lëndësh narkotike. Problem tepër shqetësues të cilin institucioni ynë, posaçërisht Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë qenë të angazhuara me të gjitha mjetet e tyre. Është shqetësues fakti se nga strukturat e tjera ligjzbatuese, të cilat kanë për detyrë të kontrollojnë territorin dhe verifikojnë këto raste, ka një përqindje shumë të ulët të autorëve të këtyre veprave penale. Kemi kontakte të vazhdueshme me institucionet e tjera përgjegjëse, por gjithsesi rezultatet e zbulimit të autorëve të veprave penale mbeten tepër të ulëta, theksoi ai.


Më tej ai ndahu dhe një shqetësim tjetër evident për Prokurorinë. Problematikë tjetër mbetet mënyra e administrimit të provave materiale. Posaçërisht në rastin e lëndëve narkotike. Në mënyrë të vazhdueshme bëjnë publike të dhëna se çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, asgjësohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mospërfshirje totale të prokurorëve në mënyrën sesi administrohen, sekuestrohet dhe asgjësohen këto lëndë narkotike. Është detyrim ligjor i gjithsecilit prej nesh të verifikojë këto rastet, për të parë, verifikuar dhe vendosur para përgjegjësisë ligjore kur konstatohet se lënda narkotike dhe provat e tjera materiale asgjësohen në mënyrë jo të parashikuar nga ligji. Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si çdo provë tjetër do të asgjësohet në prani të Prokurorit. Ju rikërkoj që të gjitha rastet kur ka dyshime që provat materiale asgjëson në mënyrë të kundraligjshme të fillojnë hetimet nëse kjo lëndë narkotike apo çdo lëndë tjetër, provë materiale nuk asgjësohet ose administrohet në mënyrën e parashikuar në ligj të fillojnë hetimet dhe të vendosen para përgjegjësisë ligjore autorët, tha Llalla.


Ndërkaq Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili vlerësoi bashkëpunimin me Prokurorinë si efikas dhe të shpejtë.


Pa asnjë hezitim mund të përcaktoja si një bashkëpunim efektiv, i shpejtë dhe efikas. E theksoj i shpejtë edhe efikas sepse shpejtësia gjëra më e rëndësishme në komunikimin tonë sepse zvarritja e procesit ka qenë në favor të kundërshtarëve tanë. Unë kam gjetur një bashkëpunim shumë të mirë nga Prokuroria por dhe prokurorë të gjithë niveleve. Në rekomandimet prioritare që i kemi paraqitur qeverisë dhe që i ka miratuar. Besoj që jemi në një situatë të re, që lidhet edhe me ndryshimet kushtetuese. Një nga elemente thelbësorë është forcimi i punës dhe rolit të prokurorisë si një organ i decentralizuar dhe me ndryshimet e reja i krijohen të gjitha hapësirat për të pasur një pavarësi të brendshme por në fund me një prokurori që gjithmonë e më shumë ka hapësira të pavarësisë do të thotë pavarësi nga politika, tha Vasili.