Dirigjenti Bujar Llapaj mbron idenë e rikthimit të muzikës së traditës, vepra të Ibrahimit, Zadejës, Zoraqit, Harapit, Gaqit në Teatrin e Operës. Ai tregon edhe për dëmtimit të materialeve origjinale, punën për dixhitalizimin e tyre, dhe veprat që nuk u shfaqën kurrë



Këtë fundjavë, Teatri i Operës shfaq baletin "Delina", një vepër shqiptare e krijuar nga Çesk Zadeja në 60-tën. Veprën e ka nxjerrë nga Biblioteka e Operës, e ka korrigjuar, redaktuar, ka rindërtuar numrat që mungojnë në partiturë, dirigjenti Bujar Llapaj, që prej vitesh punon në Vankuver, dirigjent i "West Coast Symphony".

Dixhitalizimin Llapaj, e ka bërë edhe për tri balete të tjerë: "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë", me muzikë të Feim Ibrahimit, "Lumi i vdekur" me muzikë të Çesk Zadejës, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" i Nikolla Zoraqit. Dirigjenti ngulmon në ruajtjen e dorëshkrimeve origjinale, shumica e të cilave janë dëmtuar nga shënimet e dirigjentëve që i kanë marrë në dorë, duke i bërë jo lehtësisht të lexueshme notat në to. Bujar Llapaj ka punuar vetëm me repertorin shqiptar të muzikës. Këto kohë është duke përfunduar veprën e plotë të Çesk Zadejës, me suitat, pjesët orkestrale, simfonitë, dhe vepra të kompozitorëve: Thoma Gaqi, Tonin Harapi dhe Ferdinand Deda. 


Z. Llapaj në ç'gjendje i gjetët veprat?

Janë vepra unike, dorëshkrime origjinale. Duke pasur parasysh që është vetëm një dorëshkrim, përdorimi i gjatë i tyre i ka dëmtuar. Diku janë shuar notat. Kompozitorët i kanë shkruar me laps, dhe rrallë gjen vepër të viteve '50-'60 që të jetë rishkruar me dorë. Por, edhe në rishkrime kanë pasur gabime. Për dixhitalizimin e tyre unë jam mbështetur kryesisht në veprat origjinale, ku ka pasur edhe shënime të autorëve, por edhe të dirigjentëve që kanë luajtur, të cilët kanë bërë ndryshime. Jam munduar të diferencoj shënimet e dirigjentëve nga shenjat origjinale të kompozitorit.


Cilat vepra janë dixhitalizuar?

Janë dixhitalizuar katër balete: "Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë" (1986) me muzikë të Feim Ibrahimit, "Lumi i vdekur" i Çesk Zadejës, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1977) i Nikolla Zoraqit dhe së fundmi "Delina" (1964) i Çesk Zadejës. Këto kanë qenë porosi e Teatrit të Operës. Problemi nuk qëndron thjesht tek partiturat, por tek partet. Kanë qenë në gjendje të tmerrshme, me shënime, me shkurtime, me shkarravina. Më vjen keq për ata instrumentistë që në atë kohë kanë luajtur me ato lloj partesh. Por sot, me këto parte të shtypura, të printuara, është një komoditet. Instrumentistët, që dikur i kanë luajtur këto vepra, tani thonë: "Nuk e dinim që kanë qenë vepra kaq të thjeshta". Për ata është një ndihmë e madhe. Dixhitalizimi ndihmon në printim të më shumë kopjeve, që mund të jenë për përdorim publik. Mund të përdoren nga muzikantë, studiues, për veprimtari, qoftë edhe për të huajt, për të përhapur kulturën tonë.


Ka pasur materiale të padeshifrueshme?

Tek baleti "Delina" janë tri numra që mungojnë, janë zhdukur. Nuk ekzistojnë në origjinal. I kam rindërtuar në bazë të parteve të orkestrës. Kështu që është plotësuar komplet partitura e baletit. Të padeshifrueshme nuk mund të them për asnjërën sepse kompozitorët kanë qenë të kujdesshëm të shkruanin qartë notat. Aty ku unë kam pasur dyshime për saktësinë, u jam rikthyer ose parteve, ose kam ndjekur harmoninë. Unë nuk shkruaj thjesht notat, lexoj partiturën vertikalisht. Ka edhe mospërputhje, ndonjë gabim që është vënë pa dashje nga kompozitori dhe ka mbetur e pakorrigjuar. Ky është redaktimi që i bëj veprave.


Veç baleteve, keni marrë gjini të tjera në dorë?

Baletet janë vepra të porositura nga Teatri i Operës. Njëkohësisht me iniciativën time, kam marrë edhe vepra të tjera. Kam ndërmend të përfundoj komplet veprën e Çesk Zadejës. Kam bërë simfoninë, suitën e baletit "Delina", suitën "Vajzat e qytetit të gurtë", "Sonatën për violinë", "Koncertin për piano".

Nga Thoma Gaqi kam marrë Simfoninë e tij, Double Koncert, Scherzo, "Vallja nr 2"; nga Tonin Harapi "Rapsodi për Piano dhe Orekstër". Kam nisur nga Ferdinand Deda "Koncert për klarinetë dhe orkestër". Kam bërë suitën e operës "Mrika" të Gjon Simonit, suita për harqe dhe suitën "Luli i vocërr". Me lejën e kompozitorëve, disa prej pjesëve i kam vënë edhe në Vankuver me "West Coast Symphony Orchestra". "Vallja nr. 2" e Thoma Gaqit është luajtur nga një orkestër të rinjsh në Vankuver. Jo më larg se tri javë më parë, unë kam luajtur kohën III të "Koncert për violinë" të Pjetër Gacit. Në dhjetor kam për të luajtur Simfoninë e Çesk Zadejës atje. Dixhitalizimi i veprave jep një mundësi më shumë për t'u përhapur muzika shqiptare.

Janë me dhjetëra vepra simfonike, që ekzistojnë në arkivin e Radio-Televizionit, të cilat duhet ta fillojnë këtë proces.


Ka vepra nuk janë shfaqur asnjëherë?

Baleti "Delina" që vihet pas 46 vjetësh, ka një publik shumë të madh që nuk e njeh. Kjo është premierë për masën më të madhe të publikut, për mua vetë sepse unë nuk e kam arritur ta ndjek të gjithë baletin, vetëm disa pjesë.

Ka vepra, ndoshta më të vjetra, të cilat duhen rivënë, qoftë edhe nëse janë vënë vetëm njëherë në skenë. Opera e Kristo Konos, "Prometeu" që është kritikuar në vitet '50 dhe nuk është vënë në skenë. Musical-i "Historia e një kënge" e Nikolla Zoraqit, është vënë vetëm një herë. Mendoj se duhet rigjeneruar i gjithë fondi i muzikës. Ne patëm një periudhë pas viteve '90 që gjithçka e krijuar në komunizëm, u damkosëm. Ndodh që në periudha përmbysje sistemesh, anatemohet dikush. Por në fund të fundit, në atë periudhë një popull ka jetuar, ka krijuar, ka kënduar, ka vallëzuar. Askush nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e vet. Është pjesë e historisë dhe për më tepër krijimtaria që është bërë nga kompozitorët tanë në atë kohë. Janë krijime të cilat duhen vlerësuar, dhe duhet ekspozuar për botën, sepse është krijimtari profesionale. Mendoj se duhen shfaqur, duhen regjistruar, duhen bërë CD të veprave shqiptare. Para ca kohësh, i dhashë një pianisti suedez partin e "Koncert për piano" të Çesk Zadejës, dhe më kthen përgjigje: "Kur do ta luaj? A ke vepra të tjera shqiptare të m'i japësh që unë t'i luaj?". Të gjitha këto vepra duhen botuar, duhen rifreskuar. Bota ka shije të ndryshme. Ka muzikë moderne, elektro akustike, por krijohet edhe muzikë shumë e thjeshtë. Kur dëgjoj kompozitorë të sotëm që kanë krijuar një vepër, të duken ordinere me krijimtarinë që kemi ne. Nuk duhet të jemi të ndrojtur për atë krijimtari që kemi.


A është bërë ndërhyrje në to?

Ndërhyrje ka pasur në pikëpamje të koreografisë dhe është normale. Unë deri më sot, nuk kam vënë dorë në nota. Është dixhitalizimi i parë që bëhet dhe njerëzit duhet të njohin se ç'ka bërë kompozitori. Nëse do të marrësh një vepër dhe do ta riorkestrosh, pas kësaj duhet të vësh emrin.


Çfarë duhet riparë nga fondi i huaj?

Nga muzika e huaj nuk është vështirë të gjesh. Opera të huaja shfaqen. Unë jam i interesuar sesa mund të reklamojmë muzikën tonë. Ky është një kontribut që më pëlqen ta jap. Më pëlqen të them që unë jam rritur në një ambient, me këta kompozitorë, kam pasur këta profesorë, kam jetuar në një ambient të kulturuar.