xhamiNga Bledi Mane-Public Enemy


fb.com/bledi.mane


instagram.com/bledimane


1./


Sapo isha kthyer nga Barcelona moderniste e Gaudi-t dhe në tru më hallakateshin impresionet katalunase jo vetëm të arkitekturës.


Si çdo shqiptar që shkel në tokën e tij, edhe unë bëja bilancin e zakonshëm atje-këtu, këtu-atje.


Taksia që më kthente nga Rinasi la pas “Zogun e Zi” e iu përvesh mes për mes 21 Dhjetorit ku të merrte frymën kaosi motorik dhe human.


Dielli shëllehej mbi qiellin blu të Tiranës e u dërgonte rrezet kafepirësve kryesisht studentë në të dyja anët e Unazës.


Paralel me makinën ku kisha hipur ecte në të djathtë edhe një çift policësh nga këta tanët.


Një vajzë simpatike me fytyrë ajkë të bardhë, së cilës uniforma blu i shkonte aq shumë deri në erotizëm, të jargoste nga rezonanca që lëshonte, por sa shihje kolegun e saj polic, shfryeshe si tullumbacet e fëmijëve grindavecë.


Polici tjetër me barkun e tij të deformuar dhe kallashnikovin e lyrosur varur te krahu, ta bënte qesharak edhe kthimin në atdhe, edhe kërcënimin që ndjehej kudo.


Isha përsëri në Tiranë pas sulmeve të Parisit dhe siç dukej, edhe qeveria këtu kishte ndezur alarmin e kuq.


Semafori jeshil detyroi shoferin e taksisë ta kthejë makinën majtas dhe ashtu si breshka mes një trafiku llahtar, iu përveshëm “Rrugës së Kavajës”, drejt qendrës.


Ec e ndalo, ec e ec, ec e borizo, ec e rënko nga mospritja.


“Rruga e Kavajës”, dikur e quajtur “Nëna Mbretëreshë” tani të harbon nga të dy krahët e saj me tymin e qofteve, kërnackave, peskavicave, ligavecëve, shishqebapëve.


Rruga shkatërroi jo vetëm vilat e saj të bukura, por tashmë po shkatërron edhe të ecurin në të, pasi smogu i makinave dhe qebaptoreve as të josh e as të shëndosh.


Dhe te kjo rrugë ku kaloj shpesh edhe më këmbë, shoh çdo të premte një lloj skene surrealiste, sa edhe Salvador Dali do e kishte zili.


Xhamia e Dine Hoxhës tashmë e tjetërsuar nga identiteti i saj arkitekturor, është një nga xhamitë më të frekuentuara të qytetit, e ndërsa besimtarët e saj falin namaz, ngjitur me ta përcëllohet kërnacka e pihet birra e rakia lumë. Kjo për mua nuk është tolerancë fetare, por anarshi identitare…


Që numri i besimtarëve muslimanë sunitë është rritur ndjeshëm, kjo nuk do as garanci nga Instati e as nga komuniteti fetar.


Që xhami të reja pa pikë estetike ngrihen me tepricë edhe në fshatrat e Librazhdit, edhe në kryeqyetet, edhe në jug, edhe në veri, kjo përsëri nuk do kallauz të na flasë.


Që simpatia për terrorizmin, kamikazët, luftën e shenjtë, oreksin për pizza hallall është rritur llahtarshëm, edhe kjo nuk do as media e as hipokrizi të na e fshehë.


Që ushtarë isisi atje në Siri e Irak janë bërë edhe 1000 copë nga tanët, as kjo nuk do avokati, por thjesht, pastër e shkoqur dua ta di pse ky vend kaq frikacak e kaq radikal, njëkohësisht është?


Pse ky vend që hapet bythësh për tolerancën fetare, shet bythën në kohë krizash duke iu larguar autenticitetit të tij evropian dhe i vesh Shqipërisë burkën e ekstremizmit?


Në kohë krizash të rënda njerzimi mbyt depresionin duke e dyfishuar atë. Pra i shton dhimbjes dhimbje dhe alkimia e lehtëson përkohësisht.


Koha e krizave e përplas njerzimin drej bixhozit e kumarit, drejt objekteve fetare e drejt drogërave.


Ndaj pa hipokrizi tashmë e dimë sesa para qarkullon në ditë nga bixhozi e sa mijëra shqiptarë luajnë? Sa drogë mbillet, korret, konsumohet e sa para droge qarkullon në ditë?


Sa besimtarë muslimanë ia kanë dhënë shpirtin dhe trurin religjonit të Muhamedit, pavarësisht praktikimit periodik apo ciklik?


Dhe para se ta mbyll polemikën time të radhës po u tregoi pa frikë e pa ekuivok.


Xhamitë po mbushen e ngjeshen me besimtarë, ndërsa kishat pavarësisht sektit katolik apo ortodoks apo edhe vangjelist, po zbrazen.


Po zbrazen e po boshatisen se njerzia këtu, jo për shkak të tolerancës, por për shkak të hakmarrjes, po ndërron besim, ose po ikën nga atdheu. Shqiptarët u lodhën, u lodhën me partnerët tanë ndërkombëtarë.


Pritën 25 vjet rresht që pseudomiqtë tanë të bënin ndryshim elitash në politikë apo reformë në drejtësi, por dështuan.


U mbyllën në vetevete pa shpresë, pa lekë në xhepa, pa punë, pa të ardhme fare dhe iu dorëzuan besimit fetar.


Si hakmarrje vajzat e reja u mbuluan me perçe e djemtë e rinj lanë mjekër e shkurtuan pantallonat nga fundi.


Këta të rinj lindën para 20-25 vitesh me Berishën, Ruçin, Daden, Gjinushin, Ramën, Metën, Palokën, Dulen, Idrizin dhe ende kanë të kokolepsur nëpër hallet e tyre Berishën, Ruçin, Daden, Gjinushin, Ramën, Metën, Palokën, Dulen, Idrizin.


Kur u thahet zorra, truri, xhepi, logjika, shpresa, prespektiva, shqiptarët i largohen Evropës.


E mbani mend gushtin e vitit 1385 kur princi i Balshajve i shkruante Republikës së Venedikut???