Atëherë kur nuk pritej që mes qeverisë dhe opozitës të kishte konsensus, pasi kryedemokrati Lulzim Basha kishte theksuar se nuk kthehen në Kuvend apo Komisionet Parlamentare pa garantuar zgjedhje të lira dhe largimin e qeverisë së krimit, ka ndodhur edhe supriza e madhe.


Deputetë të mazhorancës dhe të tjerë nga PD e LSI janë bërë bashkë në tryezën e rrumbullakët të Këshillit të Legjislacionit për Vettingun në politikë, ku edhe ka nisur diskutimi edhe me ekspertë e konstitucionalist për këtë nismë ligjore të propozuar nga Lulzim Basha.


Mbledhja drejtohet nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe deputetët e PD dhe LSI që janë rikthyer pas shumë kohësh në dyert e Kuvendit janë Enkelejd Alibeaj, Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri dhe Ervin Salianji nga PD.


Ndërsa nga LSI marrin pjesë në diskutime ligjvënësit Nasip Naço, Edmond Haxhinasto dhe Silva Caka.


Me rikthimin e sotëm në punë, deputetët e opozitës që po diskutojnë për Vettingun në politikë, i japin fund zyrtarisht bojkotit nga ana e tyre dhe shpëtojnë mandatet e deputetit, që do të digjeshin më 23 janar të 2019-ës.


Pas kësaj date, deputetët e PD që ende nuk janë kthyer në Kuvend humbasin mandatet, pasi bojkotin e tyre e kanë nisur që në datën 23 korrik të këtij viti.


Ndërkohë në mbledhje, eksperti ligjor i PS, Artur Metani është shprehur se projektligji i propozuar nga opozita për rivlerësimin e figurës së deputetit ka paqartësi për strukturën. Është e paqartë se cila është struktura që do të bëjë vettingun, tha ai.


Ndërkohë eksperti ligjor i PD, Gazmend Bardhi ka thënë se kjo nismë ligjore është e nevojshme dhe tërësisht e mbështetur në Kushtetutë.


Kufizimi i të drejtës për kandidim është legjitim. Organi që do të bëjë verifikimin do të caktohet me ligj. Ligji do të pëcaktojë se cili kontakt çon në heqje mandati, deklaroi Bardhi.


5 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)