Viti 2016 rezultoi thjesht spektakolar për Kristiano Rnaldon që përveçse pasuroi palmaresin e tij me disa trofe, tashmë mund të shfryjë i qetë ndaj gjithë kritikëve që gjatë 12 muajve të fundit nuk e kanë kursyer për pothuajse asnjë ditë. Pak orë pas ceremonisë gala të Zyrihut ku fitoi edhe çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s, sulmuesi luzitan ka një dedikim të veçantë për të gjithë ata që janë treguar spektikë, madje kanë shkuar edhe më tej duke e përbaltur në vazhdimësi.


Kishte shumë dyshime rreth meje, madje janë bërë edhe fushata të tëra kundër meje, brenda dhe jashtë futbollit. Kërkonin të më godisnin nga çdo krah por e vërteta është se çmimi i lojtarit më të mirë të FIFA-s shkoi tek më i miri, pra tek unë.


Fillimisht Champions League dhe më pas me radhë, Euro 2016, Topin e Artë dhe mirënjohja nga FIFA. Viti që lamë pas u tregua bujar me sulmuesin e Realit të Madridit, por në krahun tjetër, i ashtuquajturi skandali Football Leaks nxorri në pah emrin e tij. Ronaldo u akuzua mediatikisht për mashtrim fiskal dhe ai e ka një përgjigje edhe për këtë temë.


Donin të më bënin të dukesha i keq por unë e kam thënë që kush nuk ka asgjë për të fshehur, nuk ka pse të trembet. Si përherë, mbylla edhe disa gojë të liga. Zërat për çështjen e mashtrimit me të ardhurat më bezdisën pasi jam një njeri që synon të bëjë mirë. Çmimi për të cilin krenohem më shumë është ai që më kanë dorëzuar për kontributin tim si bamirës. Pavarësisht kësaj, ka ende njerëz që kërkojnë të më godasin për të mbuluar gjërat e këqija që bëjnë të tjerët. Gjithsesi, në fund drejtësia qartëson gjithçka, prandaj duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë.


11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)