18 muaj burg në mungesë është dënimi nga Gjykata në Lodër, për vlonjatin Elidon Habilaj, i cili mashtroi duke kërkuar azil politik si kosovar, madje punoi edhe në një prej strukturave me të kualifikuara në fushën e sigurisë në Londër.
Historia e Habilja fillon në 1998 atëherë kur 35-vjeçari me identitetin e rremë Bekim Ademi kërkoi azil në Britaninë e Madhe duke deklaruar se vëllai i tij ishte torturuar për vdekje gjatë luftës së Kosovës dhe dy prindërit e tij kishin vdekur gjatë konfliktit të vitit 1998 në Kosovë. Sipas gjykatës ky version është i pavërtetë, duke e dënuar Habilaj për për falsifikim dokumentash dhe mashtrim. Pas këtyre deklaratave ai përfitoi shtetësi britanike dhe kishte fituar edhe një vend pune si oficer policie.
Sipas mediave angleze Habilaj nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të tij të falsifikuara fillimisht ka nisur punë në Policinë Metropolitane të Londrës. Më pas ai aplikoi për të punuar për SOCA-n, që është një departament i specializuar shtetëror në Angli që merret me krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme dhe e fitoi vendin e punës.
Në vitin 2011 ndaj tij nisën verifikimet dhe Habilaj dyshohet se është kthyer menjëherë në Shqipëri, madje ka aplikuar për pasaportë shqiptare duke hequr dorë nga e gjithë procedura e nisur prej tij në Angli për të fituar nënshtetësinë angleze.
Tashmë drejtësia britanike e ka dënuar me 18 muaj burg dhe Londra kërkon ekstradimin e tij nga Shqipëria për të shlyer atje dënimin./Indeksonline/