Nga Arben Manaj


Londër


 


Shtatë vjet përgatitje dhe tanimë kanë ngelur orë nga ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Londrës, të tretat në historinë e kryeqytetit britanik që nga viti 1908.


Londra është gati për të mirëpritur botën. Organizatoret janë të shqetësuar pasi nuk ka gjë për tu shqetësuar.


Kurioziteti është shumë i madh për detajet e ceremonisë së hapjes së këtyre Lojërave, të cilat po mbahen sa më shumë sekret, edhe pse disa detaje kanë filluar të dalin përmes rrjeteve sociale dhe internetit, një mision i pamundur në epokën e teknologjisë së sotme.


Një gjë garantohet: pritet të jetë shfaqja më e madhe në planet, pretendojnë organizatorët e Londër 2012.


Regjisori i filmit fitues të disa çmimeve OSCAR, britaniku Danny Boyle, është ai që do të drejtojë tërë ceremoninë, e cila ka kushtuar 27 milionë sterlina. Janë 15 mijë vullnetare, aktorë dhe kërcimtarë që do të marrin pjesë në spektaklin e hapjes.


Sipas atyre që kanë parë provat gjenerale, por kanë rënë dakord të mos nxjerrin sekretin, mjaftohen vetëm me fjalinë shfaqja do të përlotë spektatorët.


Regjisori ka deklaruar se dëshiron që 1 miliard teleshikuesit në mbarë botën të shohin spektaklin për here të parë kur të shfaqet live, sesa nga informacionet që rrjedhin.


52 mijë vendet në stadiumin olimpik janë pajisur me drita duke krijuar elementin e spektaklit që fillon në orën 10 të mbrëmjes sipas orës së Shqipërisë. Shfaqja frymëzuese do të ketë si temë gjithçka që të bën krenar si britanik.


Kam mësuar se do të krijohet një mini Londër dhe fshati anglez brenda ambientit të stadiumit, ndërkohë që grupi Pet Shop Boys është duke bërë prova, sipas njoftimit në Twitter të nënës së tenistit britanik Andi Mari.


Disa pamje janë hequr nga YouTube pas kërkesës së organizatorëve, megjithëse një klip 30 sekondësh nga provat u shfaq nga BBC ku dukeshin skena me njerëz me krahë të iluminuar duke i dhënë biçikletave.


Sakaq, ora e famshme e parlamentit britanik Big Ben, siç njihet publikisht, pasi tashme i është vene emri Kulla Elisabet për nder të Jubileut të 60 të ardhjes në fron të Mbretëreshës, do të kumbojë 40 herë në minutën përpara fillimit të ceremonisë.


Në këtë ceremoni tashmë është konfirmuar se ylli i futbollit dhe modës angleze, Dejvid Bekëm do të ketë rolin e vet, ndërsa legjenda e grupit The Beatles, 70 vjeçari Pol Mekartni do të startojë ceremoninë me këngën Hej Jude.


Në Londër kanë mbërritur shumica e mbi 100 kryetarëve të shteteve dhe presidenteve dhe mbretërve, mes të cilëve Presidentja e Kosovës dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës.


Mes atyre që kane konfirmuar mbërritjen janë presidenti francez, Olond, italiani Napolitano, Erdoan, Nikoliç i Serbisë dhe gruaja e presidentit Obama, Mishel, por jo presidenti. Mit Romni është në Londër po ashtu sfidanti i Obamës.


Do të jenë 9 milion numri total i spektatorëve që do të transportohen për në ambientet olimpike, prej të cilëve 300 mijë janë atletë, zyrtarë dhe staf i Olimpiadës.


Flota e autobusëve të Komitetit Organizator të Lojërave Olimpike është e barabartë me 15 përqind të numrit total të autobusëve të Londrës, ku vetëm 600 autobusë janë në shërbim të medias.


Në Londër është krijuar praktikisht garazhi më i madh në Evropë, ndërkohë që autobusët parkohen përkohësisht në afërsi të Fshatit Olimpik.


Por nuk kanë munguar edhe elementët e padëshiruar. Disa sportistë kane rezultuar pozitiv për doping, mes tyre edhe një peshëngritës shqiptar, i cili e mohon një akuze të tillë dhe i është nënshtruar vullnetarisht testit B.


Një atlete greke është dëbuar nga Olimpiada për shkak të komenteve raciste në Twitter për emigrantët afrikanë në Greqi, sakaq flamujt e dy Koreve janë ngatërruar dhe kanë shkaktuar skandale diplomatike. Te paktën zyrtarisht një atlet afrikan ka kërkuar azil politik në Britani, megjithëse ka spekulime për 6 të tjerë.


Dhe meqë jemi tek Londra, në fund nuk mund të mos flasim për motin. Muajt e fundit me shi duket se këto ditë ia kanë lënë vendin diellit dhe te premten sipas parashikimeve, edhe pse parashikohet rrebesh paradite, ceremonia e mbrëmjes do të jetë me kohë të mirë dhe pa shi, shpërblimi më i dëshiruar për organizatorët dhe përpjekjet e tyre titanike për Lojëra sa më të suksesshme dhe të paqëta, të tretat e Londrës në kohët moderne.