Partizani blindon deri në vitin 2020 Lorenc Trashin. Klubi i kuq ka zyrtarizuar marrëveshjen e re me futbollistin gramshiot, edhe për një sezon tjetër, me aktualen që përfundonte në verë të 2019-ës. Kryeqytetasit kanë të drejtë ta rinojnë edhe një vit më shumë, sigurisht nëse do të kenë të kënaqur me paraqitjet e një prej futbollistëve më të mirë të Superiores. Në njoftimin e klubit të kuq shkruhej:


Klubi zyrtarizon sot zgjatjen e bashkëpunimit me Lorenc Trashin. Lojtari 26-vjeçar dhe drejtuesit kanë nënshkruar kontratën e re deri në 2020, me opsion rinovimi edhe për 1 vit tjetër, duke konkretizuar kështu pozitivisht të ardhmen e titullarit te Partizani.


Trashi, pjesë e të kuqve nga viti 2014, falë paraqitjeve dhe cilësive që ka shfaqur përgjatë gjithë eksperiencës me fanellën e kuqe, konsiderohet një prej lojtarëve më të spikatur të Partizanit dhe kampionatit tonë. Rinovimi i kontratës erdhi me dëshirën e të dyja palëve, fakt i cili pasqyron më së miri besimin dhe korrektësinë e marrëdhënies klub -lojtar.


19 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)