Bledar KUKA - Në ndonjë dyqan të Prishtinës, njerëzit sot do të ishin duke blerë mish tek kasapi Lorik Cana. Nëse babai i tij, Agimi, nuk do të ishte bërë lojtar i njohur dhe si i tillë edhe i biri dhe nëse jeta nuk do t’i kishte larguar nga Kosova për në Zvicër, ky do të kishte qenë skenari më i mundshëm për kapitenin e sotëm marsejez, njeriun që është bërë idhull i tifozëve bardhekaltër.



“Në familjen tonë shumica bëheshin kasapë”, - shprehet Loriku, i cituar nga media franceze, “sportvox.fr”, e cila e pyeti se çfarë do të ishte bërë pa futbollin. I lindur më 27 korrik 1983 në Prishtinë, ndonëse me origjinë nga Gjakova, Loriku e provoi emigracionin shumë herët që në nisje të viteve 90-të (1992). Që nga Lozana, tek Paris SG për t’u çimentuar tek Marseja, e ardhmja e Canës ishte e lidhur me futbollin.



Loriku nuk flet shumë për profesionin e kasapit, apo “boucher”-it në frëngjisht, ndonëse “sportvox”-i i vë shkrimit titullin “Loriku, kasapi kosovar”, një shkrim i pëlqyer shumë nga të paktën 66 për qind e lexuesve. Më shumë flitet për futbollin, për të tashmen dhe të ardhmen. Ai ka kontratë deri më 2012 në “Velodrom”, por shumë klube interesohen për të dhe besohet se në verën e ardhshme mund të ikë.



Janë dy gjëra që bien më shumë në sy për shqiptarin nga Kosova, njëkohësisht zëvendëskapiten të kombëtares kuqezi. Së pari që, tek OM-ja ish-trajneri Alber Emon e vendosi në mesfushë si të vetmin mesfushor rikuperues (shkatërrues, ndonëse termi nuk është krejt i saktë), ndërsa zakonisht në kampionatin francez skuadrat kanë nga 2 ose 3 të tillë. Kjo tregon zotësinë e tij dhe besimin që kishte trajneri tek ai.



Së dyti, ndonëse mbetet një enigmë për marsejezët, ai është fort i pëlqyer. Ndërsa trajneri i sotëm, Erik Gerec, quhet si babai, Loriku cilësohet si “djali i madh” në skuadër, për shkak të respektit të madh që krijon te kolegët futbollistë. Nuk u diskutua shumë lidhja e tij e (pa) mundur me Klarë Morganin e njohur, ndërsa jeta private e djaloshit 1.85-metrosh është diçka krejt personale.






E Merkure, 03 Dhjetor 2008