Nga MEJDAN ZHIVANI


Kapiteni i kuqezinjve tanë, përveç se ka qenë, si zakonisht, ndër më të mirët në fushën e lojës, ai është paraqitur edhe si një trajner për ekipit tonë, ku në shumë raste dëgjohej vetëm zëri i tij duke udhëzuar shokët e skuadrës. Në prononcimin e tij, pas ndeshjes, ai shprehu keqardhjen që nuk u arrit fitorja, edhe pse ishte një ndeshje miqësore, por megjithatë ai është i bindur se ndeshjet zyrtare të edicionit të ri, do të nisin me fitore, pikërisht ndaj Qipros. Vlerësoj në përgjithësi perfomancën e skuadrës në këtë miqësore. Moldavia ka kualitete dhe këtë e dinim përpara se të niste ndeshja, por normalisht që nuk është një skuadër e një niveli të lartë në Europë. Ne kishim shanset tona për të shënuar dhe duhet ta bënim një gjë të tillë, ku mund të realizonim fitoren për të kënaqur edhe atë publik që na ndjek nga shkallët e stadiumit. Këtë nuk e arritëm tani, por jam i bindur se një gjë të tilla do ta bëjmë realitet në shtator, që në ndeshjen e parë kualifikuese. Kemi ende shumë për të përmirësuar në disa aspekte. Është pozitive se në fazën mbrojtëse nuk i lamë asnjë shans apo mudnësi kundërshtarit për të na rrezikuar, por kjo është meritë e gjithë skuadrës, jo vetëm e repartit të mbrojtjes. Të gjithë së bashku mund të bëjmë gjëra të mira, por duhet të përmirësohemi në disa elementë jo pak të rëndësishëm, që nga humbja e topit në pasime të thjeshta apo gjëra të kësaj natyre. Nuk është edhe momenti më i mirë fizik i çdo lojtari në këtë periudhë, por besoj se në të ardhmen do të jemi ndryshe, ka mbyllur kështu kapiteni kuqezi Lorik Cana.