Formulari i ri i aplikimit përcakton kushtet e reja. Në raste të veçanta Ambasada verifikon të dhënat


Posta Shqiptare ka filluar shpërndarjen e fituesve të fazës së parë në adresat e tyre, emrat e të cilëve bëhen publikë sipas listës së plotë. Aplikantët janë seleksionuar në mënyrë rastësore nga kompjuteri midis të gjithë atyre që janë kualifikuar, pra kanë plotësuar në rregull formularët. Ata që janë seleksionuar në përzgjedhjen e parë do të njoftohen vetëm nëpërmjet Postës dhe do t’u dërgohen instruksione të mëtejshme, çka përbën dhe nisjen e fazës së dytë. Ndërsa personat që nuk kanë fituar nga lotaria, nuk do të lajmërohen në asnjë lloj mënyre. Sidoqoftë, fituesit të cilët janë njoftuar nëpërmjet përgjigjes së dytë marrin formularin e dytë të aplikimit, ku ndër detyrat kryesore janë specifikimi i pagesës që do të kryejnë për të marrë “Green Card” si edhe adresa e një mjeku (të caktuar nga Ambasada) për të bërë kontroll mjekësor aplikanti dhe gjithë familja e tij. Ndodh shpesh që pas marrjes së përgjigjes së dytë gjatë intervalit që aplikanti përgatit kartelat e kërkuara nga formulari (i përgjigjes së dytë) disa nga të dhënat e paraqitura prej tij (në aplikimin dhe formularin e parë) verifikohen nga autoritetet e Ambasadës Amerikane. Kështu ka ndodhur disa herë me diplomat shkollore apo pretendimet për eksperiencë pune në institucione të caktuara.

Pajisja me vizë

Me marrjen e përgjigjes së dytë individuale pozitive, sërish me postë, aplikuesit e përzgjedhur duhet të pajisen me vizë pranë zyrës konsullore të Ambasadës së SHBA në Tiranë, brenda afateve që ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht. Aplikuesit e përzgjedhur, të cilët nuk do të marrin viza derisa të përcaktohet ky afat, nuk do të kenë asnjë përfitim nga regjistrimi i tyre në lotarinë e vizave DV-2009. Edhe të afërmve, bashkëshorteve/es dhe fëmijët që shoqërojnë apo do të vijojnë të bashkohen me fituesit e lotarisë DV-2009, u jepet gjithashtu e drejtë të marrin statusin e vizës, vetëm pas afateve të përcaktuara. Menjëherë pasi numri i 50 mijë vizave në të gjithë botën do të përdoret, programi për vitin fiskal 2007 i lotarisë amerikane do të konsiderohet i përfunduar.

Akti i Emigrimit

Akti i Emigrimit dhe Kombësisë mundëson që 50 mijë veta nga e gjithë bota të përfitojnë viza permanente rezidence për çdo vit dhe kjo u jepet individëve që janë me prejardhje nga vende që kanë ritme të ulëta imigracioni drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nisur nga kjo, Qendra Konsullore në SHBA ka regjistruar dhe shpallur edhe fituesit e lotarisë së vizave DV-2009. Lotaria e vizave është udhëhequr nga termat e seksionit 203(c) të Aktit të Emigrimit dhe Kombësisë. Vizat janë shpërndarë ndër gjashtë rajonet gjeografike të hartës së botës, me një probabilitet, maksimumi prej shtatë përqindësh mundësie për çdo person, i lindur në një vend të caktuar.





BOX

Aplikimi në internet, kujdes nga mashtruesit

Gregory Ashe - jurist në Zyrën e Mbrojtjes së Konsumatorëve pranë Komisionit Federal të Tregtisë në Uashington - thotë se ka kompani që, pasi aplikanti kalon me sukses fazën e parë, i kërkojnë disa mijëra dollarë me kusht që t’i dërgojnë dokumentet që duhen plotësuar më tej. A thua këta individë dhe kompani dinë ndonjë mënyrë magjike që të tjerët nuk e dinë? Në asnjë mënyrë, thonë zyrtarët amerikanë, të cilët i këshillojnë vazhdimisht aplikantët të mos humbasin paratë, por ta bëjnë kërkesën për lotarinë falas përmes faqes së internetit të Departamentit të Shtetit. Gregory Ashe thotë se aplikantët duhet të tregohen vigjilentë ndaj kompanive që ofrojnë shërbime të tilla. Ata e paraqesin veten sikur punojnë bashkë me qeverinë amerikane. Mbajnë emra të tillë si “Shërbimet Amerikane të Imigracionit”. Vetë faqja e tyre e internetit përmban figura që u ngjasin faqeve qeveritare, si vula, flamuj, stema e gjëra të tjera që të japin përshtypjen e organizmave qeveritare. Tek informacionet e kontaktit, si, për shembull, tek numrat e telefonit ato vënë numrat e telefonit të Departamentit të Shtetit në mënyrë që dikush që dyshon të bindet se kompania X ka të bëjë me qeverinë. Të gjitha këto, thotë Ashe, nuk janë veçse karremi për të tërhequr klientët dhe për krijuar besim tek ata.





Përgjigje rreth etapave të Lotarisë Amerikane



1. ÇFARË DO TË THOTË TERMI "VENDËS"? A MUND TË APLIKOJË NJË PERSON I CILI NUK KA LINDUR NË NJË SHTET KUALIFIKUES?

"Vendës" quhet ai person i lindur në një shtet të veçantë, pavarësisht nga vendbanimi apo kombësia e personit. Por për qëllime emigracioni termi "vendës" gjithashtu nënkupton një person i cili është "barrë" e një shteti tjetër nga ai në të cilin ai/ajo ka lindur, sipas kushtit të caktuar nga Seksioni 202(b) i Aktit të Kombësisë dhe Emigracionit.

Për shembull, në qoftë se fituesi (aplikanti primar) ka lindur në një shtet që nuk është i pranueshëm për lotarinë e këtij viti, ai/ajo mund të kërkojë "barrën" e shtetit ku ka lindur bashkëshorti(ja), por atij/asaj nuk mund t'i lëshohet një vizë DV-1, vetëm në rast kur edhe bashkëshorti(ja) është e kualifikueshme t'i lëshohet një vizë DV-2, dhe të dy mund të hyjnë në SHBA së bashku me viza DV.



2. A KA NDONJË DETYRIM APO KËRKESA TË REJA NË PROCEDURAT E APLIKIMIT PËR REGJISTRIMIN E LOTARISË?

Të gjitha aplikimet e lotarisë DV-2008 duhen plotësuar elektronikisht në adresën e Internetit http:www.dvlottery.state.gov duke filluar nga e Mërkura e datës 4 Tetor 2006 deri të Dielën e datës 3 Dhjetor 2006. Nuk do të pranohen aplikimet me postë.

Departamenti i Shtetit Amerikan ka krijuar një sistem regjistrimi elektronik për lotarinë në mënyrë që të bëjë më efektiv dhe më të sigurt procesin e Vizave të Lotarisë DV. Departamenti përdor teknologji speciale për të identifikuar aplikantët që kryejnë mashtrim për qëllime ilegale emigrimi ose që aplikojnë dy ose më shumë herë.



3. A KËRKOHEN FOTOGRAFI PËR SECILIN PJESËTAR TË FAMILJES, APO VETËM PËR APLIKANTIN PRIMAR?

Kërkohet fotografi për secilin aplikant të lotarisë, gjithashtu edhe për bashkëshortin(en) dhe fëmijët a pamartuar nën moshën 21 vjeç. Fotografi familjare apo në grup nuk pranohen.



4. A MUNDET QË PERSONAT TË CILËT BANOJNË NË SHBA TË APLIKOJNË NË PROGRAMIN E LOTARISË DV-2008?

PO, aplikanti mund të aplikojë për lotarinë DV-2008 edhe kur ndodhet në SHBA ose në ndonjë shtet tjetër.



5. A MUNDET QË NJË BASHKËSHORT DHE NJË BASHKËSHORTE TË BËJNË APLIKIME TË VEÇANTA?

Po, secili prej tyre mund të bëjë nga një aplikim të veçantë.



6. CILAT JANË KËRKESAT PËR EDUKIMIN DHE EKSPERIENCËN E PUNËS?

Ligji dhe rregullat kërkojnë që çdo aplikant duhet të ketë të paktën një edukim të mesëm ose, brenda pesë viteve të shkuara, të ketë pasur dy vjet eksperiencë pune në një punë që kërkon të paktën dy vjet trajnim ose eksperiencë. Edukim i mesëm do të thotë të vërtetosh që aplikanti ka mbaruar të paktën 12 vjet shkollë. Prova të dokumentuara të edukimit të mesëm apo të eksperiencës së punës duhen paraqitur përpara zyrtarit konsullor në ditën e intervistës.



7. SI DO TË ZGJIDHEN APLIKIMET FITUESE?

Të gjitha aplikimet do të numërohen nga kompjuteri. Mbas përfundimit të periudhës së regjistrimit, një kompjuter do të zgjedhë rastësisht aplikimet e pranuara sipas rajonit gjeografik. Brenda secilit rajon, aplikimi i parë i zgjedhur rastësisht do të jetë rasti i parë i regjistruar si fitues, aplikimi i dytë i zgjedhur rastësisht do të jetë rasti i dytë i regjistruar si fitues, e kështu me radhë. Pasi të jetë përzgjedhur një aplikim si fitues, atëherë aplikantit do t'i dërgohet një njoftim me anë të postës nga Qendra Konsullore në Kentaki, e cila do të përmbajë udhëzimet mbi aplikimin për vizë. Kjo Qendër do të vazhdojë të ndjekë rastet e atyre që kanë fituar deri sa ata të udhëzohen që të paraqiten për intervistën e aplikimit të marrjes së vizës në zyrën konsullore përkatëse.



8. A DO TË NJOFTOHEN APLIKANTËT QË NUK KANË FITUAR?

Jo, aplikantët që nuk kanë fituar nuk do të njoftohen në asnjë lloj mënyre. Vetëm fituesit do të njoftohen me anë të postës brenda pesë deri në shtatë muaj mbas mbarimit të regjistrimit të aplikimeve. Pra çdokush që nuk do të marrë njoftim me anë të postës brenda këtyre muajve do të thotë që nuk e ka fituar lotarinë.



9. CILA ËSHTË MOSHA MINIMALE E APLIKANTIT PËR TË APLIKUAR PËR LOTARINË DV-2008?

Mosha minimale e personave për të aplikuar është 18 vjeç.



10. A KA NDONJË PAGESË PËR PROGRAMIN E LOTARISË DV-2008?

Nuk ka pagesë për të plotësuar formularin elektronik të aplikimit në programin e lotarisë DV-2007. Vetëm në rast se aplikanti fiton, atij/asaj do t'i dërgohen udhëzime të veçanta për çmimin e aplikimit për marrjen e vizës në ditën e intervistës.





20 Maj 2008