TIRANE- Nga ora 18:00 e pasdites së të martës, ( 4 tetor) nis aplikimi i Lotarisë Amerikane (Viza e Shumëllojshmërisë - DV) dhe përfundon në orën 18:00 të datës 5 Nëntor 2011.

Ambasada amerikan informoi pak ditë më parë se nuk ka asnjë tarifë për t’u regjistruar për lotarinë dhe se tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në Konsullatë vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur.

Regjistrimi për lotarinë bëhet në faqen e internetit: www.dvlottery.state.gov". Rregullat dhe udhëzimet në gjuhën shqipe gjenden në faqen e internetit të Ambasadës: albanian.tirana.usembassy.gov/dv.html.

Para aplikimit për llotarinë¸, duhet të kontrollohen kërkesat për kualifikim, si arsimi ose puna e specializuar.

Sipas deklaratës për media të ambasadës amerikane, kualifikimet nuk shqyrtohen para intervistës, kështu që përzgjedhja për lotarinë nuk do të thotë gjithmonë se aplikanti do të kualifikohet për vizë.

RREGULLAT
 Ata që dëshirojnë të aplikojnë duhet të dinë se aplikanti duhet të regjistrohet vetëm një herë në vit. Aplikanti (kryesor) duhet të përfshijë bashkëshortin/en dhe fëmijët nën 21 vjeç në aplikim, përfshirë fëmijët e adoptuar, fëmijët e bashkëshortit/es nga martesa të mëparshme (thjeshtërit) dhe fëmijë, të cilët mund të mos jetojnë aktualisht me të. Nuk ju kërkohet të përfshini fëmijët, të cilët në momentin e regjistrimit tuaj për lotari janë shtetas amerikanë apo rezidentë të përhershëm ligjorë.
Për t’u kualifikuar për lotarinë nëpërmjet arsimit, aplikanti kryesor duhet të ketë kryer shkollën e mesme me kohë të plotë. Edukimi me korrespondencë, pa shkëputje nga puna ose natën, edhe ai 5-vjeçar, nuk është i mjaftueshëm për kualifikim. Nëse në momentin e intervistës, në seksionin konsullor rezulton se aplikanti kryesor është regjistruar më shumë se një herë (brenda një viti) ose nuk ka përfshirë një person nën varësinë e tij, aplikanti do të skualifikohet edhe nëse ai është përzgjedhur për lotarinë dhe/ose ka paguar tarifën e intervistës.

Pas regjistrimit me sukses për lotarinë, në ekranin e kompjuterit duhet të shfaqet një numër konfirmimi i aplikimit (Application Confirmation Number). Numri i konfirmimit duhet ruajtur të paktën deri në qershor 2013. Numri i konfirmimit është e vetmja mënyrë për të parë nëse aplikanti (dhe familja e tij) është përzgjedhur. Nëse aplikanti përzgjidhet, kjo është e vetmja mënyrë për të parë se kur është planifikuar data e tij e intervistës. Nëse aplikanti humbet numrin e konfirmimit, nuk ka asnjë mënyrë për ta rigjetur atë nëpërmjet seksionit konsullor apo Departamentit të Shtetit, ndaj duhet ruajtur. Asnjë fitues nuk do të njoftohet nëpërmjet postës apo e-mail-it.
(s.g/balkanWeb)