Në një video të publikuar së fundmi me intervista të artistëve të famshëm, vëmendjen e ka rrëmbyer lideri i ndjerë i The Velvet Underground, Lou Reed. Ai ka një opinion jo-popullor për rivalët e tij, The Beatles e The Doors.

Video e animuar e publikuar nga PBS me titull "Blank on Blank", përmban një intervistë të Reed e cila daton nga viti 1987, ndërsa artisti, si pothuaj përherë, është tejet i sinqertë për karrierën e tij si shkrimtar, për kritikën masive që iu bë bendit të tij, etj.

"Kur bendet mundoheshin të bëheshin 'artistike', ishte më keq se rock'n'rolli budalla. Me "budalla" dua të them, si për shembull, The Doors...Asnjëherë s'më kanë pëlqyer as The Beatles. Më dukeshin plehra. Nëse më pyetni kush më pëlqente, nuk më pëlqente askush", thotë Reed në audio intervistë.

Lideri i The Velvet Underground, i cili vdiq në vitin 2013 në moshën 71 vjeçare, shton se grupi i tij mëtonte të ngrite muzikën rock'n'roll atje ku nuk ka qenë më herët.

Ky bend historik u krijua në Nju Jork në vitin 1965 dhe ka disa nga këngët dhe albumet më të njohura në zhanrin rock. Kritika muzikore madje e ka cilësuar këtë bend si më me ndikim se vetë The Beatles, edhe pse shitjet e albumeve dhe fama rrëfejnë tjetër histori.

Reed ishte më i suksesshëm si solo artist, me albumin "Transformer" e hitet "Walk On The Wild Side", "Perfect Day", "Satellite of Love", etj.

Intervistën e plotë dëgjojeni këtu.