lu

Ambasadori i SHBA-ve: "Reforma në drejtësi e rëndësishme për të pastruar sistemin nga gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. Po ashtu e rëndësishme të ngrihet një prokurori e pavarur dhe një njësi speciale të hetimit që njihet si Byroja Kombëtare të hetimit, që në shënjestër do të kenë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta"

Ambasadori i SHBA, Donald Lu ka deklaruar se situata e krimit në Shqipëri mbetet e rëndë, ndërsa të akuzuarit për drogë dënohen rrallë e më rrallë. Në konferencën në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, ambasadori amerikan Donald Lu ka qenë i ashpër në fjalën e tij kur tha se situata në Shqipëri është e rëndë. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Qendrën "Marshall", mbi luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, ambasadori amerikan ka thënë se do të përfundojnë në burg të gjithë ata të inkriminuar të cilët do të tentojnë të hyjnë në politikë. Ambasadori Lu u shpreh se shqiptarët janë të lodhur me këtë situatë, ndërsa tha se largimi nga parlamenti i këtyre kriminelëve do ketë ndikim të madh për të ndëshkuar bosët e krimit në Shqipëri. Lu tha se SHBA ka bërë një angazhim për të mbështetur këtë byro investigimi përmes bashkëpunimit me FBI amerikane."Në Shqipëri, ata që akuzohen si trafikantët kryesorë të drogës dhe krerë të krimit të organizuar rrallë ndeshen me akuza penale. Një shembull shumë i njohur i këtij fenomeni është rasti i trafikantit të dënuar për drogë Emiljano Shullazi, që për shumë vite është akuzuar për vrasje, trafikim narkotikësh dhe zhvatje, por që u arrestua vetëm kohët e fundit. Shqipëria ka nivelin më të ulët të procedimit penal të krimeve të rënda në Evropë. Problemi është pandëshkueshmëria. Krerë të fuqishëm të krimit mund të mos i gjejë asgjë edhe për vrasje për shkak të lidhjeve të tyre me persona me ndikim", tha Lu. Më tej, ai kujtoi Al Kaponen duke hequr paralelizëm. "Gangsteri më i famshëm amerikan, Al Kapone, drejtonte një grup të krimit të organizuar në Çikagon e viteve 1920-të dhe 1930-të. Kur më në fund u arrestua, pasuria e tij krijuar përmes prostitucionit, kumarit dhe kontrabandës u vlerësua në 100 milionë dollarë. I bëri të gjitha këto duke pasur nën kontrollin e organizatës së tij kriminale persona strategjikë në polici, gjykata dhe qeverisjen vendore. Situata në Shqipëri është serioze, por besoj që reforma në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit do të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të pandëshkueshmërisë dhe të lidhjeve kriminale me politikën. Popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët në politikë. Përpjekja e suksesshme për të larguar vrasësit, tutorët, trafikantët e drogës e përdhunuesit nga Kuvendi dhe qeverisja vendore do të kenë efekt jetëgjatë në uljen e pandëshkueshmërisë së krerëve të krimit të organizuar në Shqipëri. Ky është gjithashtu një paralajmërim për kriminelët e tjerë". Në përfundim, ambasadori Lu u shpreh se Reforma në drejtësi është e rëndësishme për pastrimin e gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar, pasi do të krijojë një prokuror të pavarur dhe një njësi të posaçme hetimore, të quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit ose BKH. "Të dyja këto do të vënë në shënjestër korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Shtetet e Bashkuara kanë marrë angazhimin të mbështesin zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përmes trajnimeve, ndihmës dhe bashkëpunimit me FBI-në amerikane. Nga Uashingtoni do të caktohet një agjent i FBI-së për t'u siguruar që të jenë efikase në punën e tyre dhe që i hetojnë çështjet pa anshmëri politike. Është në interesin e Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të trajtojë në mënyrë të suksesshme problemin e saj të krimit të organizuar. Kjo është në interesin edhe të Bashkimit Evropian. Mbi të gjitha, është në interesin e popullit shqiptar. Jemi të përkushtuar ta mbështesim vendin në luftën e tij kundër krimit të organizuar dhe e dimë se Shqipëria do të jetë e suksesshme me ndihmën e partnerëve të saj", tha Lu.