- Përballja që do të zhvillohet më 14 korrik në Hamburg do të jetë "luftë eliminatore", që do të thotë se fituesi do të ketë të drejtën të luftojë për titullin e kampionit të botës në versionin WBO

Tashmë është zyrtare, Luan Krasniqi ka mësuar emrin e kundërshtarit të tij për duelin e 14 korrikut dhe ai është amerikani Tony Thompson për të cilën ishte folur ditëve të fundit. Thompson i cili në ringun profesionist njihet me nofkën "Tigri" kishte planifikuar të zhvillojë një duel më 25 maj në Uashington të cilin e ka anuluar për t'u bërë gati sa më mirë për përballjen me Krasniqin.
Përballja që do të zhvillohet në "Color Line Arena" të Hamburgut dhe do të jetë "luftë eliminatore për titullin e kampionit të botës në versionin WBO" që do të thotë se fituesi i këtij dueli do të ketë të drejtën të sfidojë titullin e kampionit që më 2 qershor do të diskutohet mes kampionit aktual Shannon Briggs dhe sfiduesit Sultan Ibragimov.
35-vjecari Thompson mund të konsiderohet si një kundërshtarët në të fortë me të cilin do të përballet shqiptari me pasaportë gjermane Luan Krasniqi. "Tigri" aktualisht renditet i treti në listën e më të mirëve në versionin WBC, i gjashti në WBO, i 11-ti në IBF dhe i 12-ti në WBA. Ka një bilanc prej 29 fitoresh prej të cilave 17 me "knockout" dhe vetëm një humbjeje në ringun profesionist ku është ngjitur për herë të parë në janar të vitit 2000. Ka shënuar fitore në 25 duelet e tij të fundit dhe ka fituar dy herë titullin e kampionit të kontinentit amerikan në versionin më prestigjioz WBC.
Për 36-vjecarin junikas, Luan Krasniqi, që ka një bilanc prej 30 fitoreve (14 me "knockout"), 2 humbjeve dhe një barazimi kjo përballje do të jetë hera e dytë që do të zhvillojë një "Eliminator Fight". Të parën ai e kishte fituar me "knockout" në rundin e gjashtë më 2005-tën ndaj një tjetër amerikani, Lance Whitaker. Pas kësaj ai kishte provuar të bëjë të vetin brezin e kampionit të botës për kategorinë e rëndë në versionin WBO përballë Lamon Brewster por pa ia arritur qëllimit.