Gjashtë asamblistë të komunës së Prishtinës dhe rreth 100 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bllokuar në mëngjesin e sotëm dyert e ndërmarrjes "Pastrimi" për të mos lejuar hyrjen e drejtorit Feim Salihu.
Zgjidhja e cila nuk u bë në kuvendin komunal por as nga policia e Kosovës për ta larguar Feim Salihun, i cili nga Vetëvendosja konsiderohet si uzurpator, u tentua të bëhej në një mënyrë tjetër.
Qështja 'Salihu' ka nisur të bëhet problematike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kuvendin e komunës së Prishtinës, në momentin kur kryesues i bordit të drejtorëve në ndërmarrjen Publike Pastrimi u zgjedh Bardhyl Noci, i cili edhe kishte shkarkuar kryeshefin e kësaj ndërmarrje Feim Salihun, të cilit edhe i ishte bllokuar xhirollogaria.
Pasi lëvizja Vetëvendosje nuk kishte mundur që të votonte dhe miratonte vendimet e saj rreh ndërmarrjes "Pastrimi" në Kuvendin Komunalë janë e kaluar, tani po mundohet që një gjë të tillë ta bëjë në rrugë.
Ata në formë të protestës bllokuan dhe i ndaluan hyrjen Feim Salihut, por një veprim të tillë nuk e bënë edhe me punëtorët e kësaj ndërmarrje.
Asamblisti i VV-së Ylli Hoxha, i cili ishte edhe prijësi i këtij aksioni, tha për KosovaPress se pasi që vendimi i gjykatës nuk po respektohet nga policia dhe nuk po largojnë drejtorin Feim Salihu, janë detyruar që një veprim të tillë ta bëjnë vetë ata.
Hoxha: Policia nuk po e respekton vendimin e gjykatës
"Për ta larguar një uzurpator nga një ndërmarrje publike. Në fillim të vitit bordi i kësaj ndërmarrje ka marrë vendim që Feim Salihu të shkarkohet nga kjo ndërmarrje. Më pas është bërë një padi në gjykatë nga ana e Bordit të Ndërmarrjes dhe gjykata ka vlerësuar se Feim Salihu është uzurpator në këtë vend. Ai nuk ka guxuar të jetë këtu si ushtrues detyre i drejtorit. Prej fillimit të vitit jemi duke kërkuar nga Policia që ta zbatoj këtë vendim të bordit dhe vendim të gjykatës. Ka mbi një muaj që gjykata ka dhënë vendimin e saj dhe ka mbi një muaj që policia po refuzon ta zbatoj këtë urdhër. Jemi në një situatë ku shteti i kapur e përcakton se kush është drejtor e kush jo, e jo shteti ligjor", ka thënë Hoxha.
Aktivistët e kësaj lëvizje dhe asamblistët në anën tjetër, janë zotuar se nuk do largohen nga aty deri sa përfundimisht të largohet Feim Salihu.
Tentojnë që me çdo kusht të parandalojnë këtë strukturë korruptuese që siç thonë ata i ka përfshirë ndërmarrjet publike 15 vitet e fundit. Një deklaratë të tillë e bëri edhe asamblisti tjetër i kësaj lëvizje Kreshnik Ahmeti.
Ahmeti: Kemi gjetur motra, djem, nipa e miq në ndërmarrje
"Kur kemi hy në asamblenë e komunës së Prishtinës dhe në komisionet e aksionarëve dhe ku jemi ende kemi gjetur në bordet e ndërmarrjeve publike motra, vëllezër, qika, djem, nipa e miq. Sigurisht se puna nuk ka qenë e duhur, për shkak se ata nuk janë punësuar për të punuar por për ta zhvatur buxhetin e komunës. Zhvatje kemi gjetur edhe në ekzekutiv dhe jo vetëm në ndërmarrjet publike, dhe reagimi në mbrojtjen e këtyre eksponentëve të krimit ka filluar në momentin kur kemi filluar ta çlirojmë komunën e Prishtinës nga krimi", tha Kreshnik Ahmeti asamblistë në komunën e Prishtinës.
Ai tha se reagimi më i madh ka qenë me ndërmarrjen "Pastrimi" dhe për drejtorin e kësaj të fundit Feim Salihun.
Ahmeti ashtu si edhe Hoxha u zotuan se do të vazhdojnë me secilën ndërmarrje deri sa ta çlirojnë komunën e Prishtinës nga krimi i krijuar 15 vitet e fundit.
Përderisa aktivistët e VV-së dhe asamblistët rrinin para derës së ndërmarrjes, në oborrin e kësaj ndërmarrje rrinin punëtorët, të cilët morën urdhër që të bllokojnë punën derisa nga aty të largoheshin protestuesit.
Por Salih Hajdini njëri nga punëtorët morri zemër dhe foli para shefave të tij për padrejtësitë që siç thoshte ai po ndodhin brenda kësaj ndërmarrje.
Hajdini, i cili është i punësuar si shofer në këtë ndërmarrje ishte më i zëshmi nga të gjithë punëtorët nga ku nxjerri detaje se në ndërmarrjen "Pastrimi" punohet vetëm për interesa personale.
Ai, ka drejtuar akuza edhe ndaj kryetarit të sindikatës.
Hajdini: "Pastrimin" e ka kap mafia
"Qashtu keni bo ju, se qetash i keni rrit rrogat. A punëtorit kurrë. Ju e keni bo kështu. Nuk është në rregull. Veti punëtorët që janë me rroga ka 230 euro, e drejtoria i ka rrit rrogat që tri herë. Punëtorit kurrë s'ia keni rrit. Këtu janë mbrapsht senet. Je ardh që gjashtë muaj. E keni ndërruar kryetarin e sindikatës dhe e dini fort mirë se si je ardh këtu. Pas dy jave je hyp ti këtu. Kanë shkruar gazetat dhe e dini krejt se çfarë kanë shkruar dhe krejt janë realitet", tha Hajdini para kamerës së KosovaPress-it.
Punëtorët tjerë ishin ata që tentonin të ja ndalin fjalët kolegut të tyre, por edhe të pengonin kamerën e KosovaPress-it të gjironin.
Ndërsa gjatë gjithë kohës Hajdini nuk ndalej me akuza drejtuar udhëheqësve të kësaj kompanie nga ku tha se që 43 vite asnjëherë nuk ka qenë më keq kjo ndërmarrje.
Hajdini: Kurrë nuk ka qenë më keq
"Kallëzoni pse i keni rrit rrogat tash. Që 43 vjet jam këtu kurrë në jetë s'ka qenë më keq. Shofer jam dhe jam para pensionit dhe po e flas. Kush çka ka deshtë ka bo këtu, kerret zyrtare ka donë shkojnë, shpenzime ka të hatashme. Çka donë me bo vet. Vetëm për interesa të vetat punojnë dhe nuk punojnë për interesa të punëtorëve. Kurrë në jetë nuk jam dënuar. Ti je përkrahës i tij dhe po shihet. Ski çka më kallëzon mu", thoshte Hajdini.
Rastet si të ndërmarrjes "Pastrimi", sipas shoferit Hajdini janë arsye që po shtyjnë të migrojnë edhe shumë qytetarë të Kosovës.
Por fjalët e Hajdinit u munduan t'i mbulojnë dhe Misin Berisha dhe Qamil Fejzullahu, njëri menaxher i njësisë në Fushë Kosovë dhe tjetri kryetar i sindikatës.
Berisha: Jemi në momentet më të mira të kompanisë
"I vetmi person që ka shpallur pakënaqësi. Kur tashmë janë momentet më të mira të kompanisë pastrimi ku shkalla e inkasimit ka mbërri deri në 93 përqind. Këta janë sabotera që dalin prej rrugës e jo ne që jemi ardhë me punu. Ju lutem me na i hap rrugën dhe me dalë ne në punë. Ne jemi ardhë me punu. Është një shkallë shumë e lartë e inkasimit dhe mos na pengoni", tha Berisha, ku akuzoi kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti që nuk po punon asgjë në këtë drejtim dhe për ndërmarrjen "Pastrimi".
E Qamil Fejzullahu u lut përmes mediave që protestuesit që ishin mbledhur t'i lënë të punojnë.
Fejzullahu: Mos të na ndalin punën
"Kjo thirrje është për krejt punëtorët. Mos me i ofendu punëtorët dhe po presin me dalë me punu. Përderisa këta janë në rrugë punëtorët nuk dalin në punë. Sepse nuk e kanë të sigurt. Këto çka thonë individ absolut nuk janë të vërteta. Kjo formë nuk është e mirë. Para hyrjes me ardhë qytetarë,,.... Ne si sindikatë jemi deklaruar që letë vepron ligji dhe ne jemi për ta përkrah e kjo formë nuk e përkrahim", tha Fejzullahu.
Në anën tjetër ishin rreth tre punëtorë që nisën të fyheshin dhe shaheshin ndërmjet vete. Situata eskaloi dhe u dash intervenimi i policisë që të ndaloj këtë.
Një punëtorë u arrestua dhe u dërgua në polici ndërsa aty u shtuan forcat e policisë. /KosovaPress/