Përballja mes Hillari Klinton dhe Barak Obamas gjatë zgjedhjeve paraprake të "Super të martës" e ka lënë të hapur betejën për kandidimin demokrat për presidencialet e nëntorit, ndërsa Xhon MekKejn mund të pretendojë tashmë titullin e kandidatit favorit nga pala republikane. Hillari Klinton fitoi në Nju-Jork dhe Kaliforni dy "çmimet e mëdha" të zgjedhjeve paraprake, por rezultatet e mira të rivalit të saj, Barak Obama, në 13 shtete, e pengojnë të pretendojë një fitore të sigurt. Ajo që luhej në këto konsultime ishte caktimi i delegatëve që do të thirren për të zgjedhur gjatë një konvente, në fund të gushtit, kandidatin demokrat për në Shtëpinë e Bardhë. Asnjë nga kandidatët nuk është në gjendje të pretendojë një numër të mjaftueshëm delegatësh për të siguruar kandidimin. Sipas vlerësimeve të përkohshme, Hillari Klinton disponon aktualisht më shumë se një të tretën e 2.025 delegatëve të nevojshëm për kandidimin, duke e kaluar Barak Obamën me afro 100 delegatë. Dy pretendentët duhet të vazhdojnë fushatën e tyre, duke vënë në shënjestër zgjedhjet eliminatore, por ndoshta vendimtare, të parashikuara më 4 mars në Ohajo dhe Teksas. "Do të doja ta përshëndesja senator Obamën për fitoret, por mezi pres gjithashtu të vazhdojmë fushatën dhe debatet tona", tha Klinton. Për Obamën rezultati i konsultimeve tregon se "ka ardhur ora e tij". Nga kampi republikan, Xhon MekKejn mund të pretendojë fitoren pas marrjes së nëntë shteteve, ndër të cilat Nju Jorkun dhe Kaliforninë, por ka hasur në rezistencën e fortë të Mit Romneit në perëndim dhe Majk Hakëbi në shtetet në jugun e thellë të vendit, që priten gjithashtu ta zgjasin ankthin e tij. Xhon MekKejn disponon afro gjysmën e 1.191 delegatëve të nevojshëm për kandidimin që do të zyrtarizohet në fillim të shtatorit gjatë një konvente në Minesota. "Duhet të mësohemi me idenë se ne jemi favoritët e Partisë Republikane për nominimin e Presidentit të SHBA-së", deklaroi ai. Klinton ka fituar gjithsej tetë shtete. Dy demokratët u ndeshën në 22 shtete, gjatë një takimi elektoral të paprecedentë për nga përmasat e tij. Delegatët demokratë, që dalin nga çdo shtet, caktohen sipas ligjit proporcional në varësi të rezultateve të çdo kandidati dhe numri i shteteve të fituara ka një vlerë kryesisht simbolike. Nga pala republikane, MekKejn fitoi në Nju Jork, Kaliforni, Misuri, Nju Xhersi, Illinois, Konektikat, Delauer, Oklahoma dhe Arizona. Rivali i tij kryesor, Mit Romnei, fitoi në Masaçusets, Jutah, Dakotën e Veriut, Montana, Minesota dhe Kolorado. Ndërsa Majk Hakëbi fitoi në Arkansas, Alabama, Virxhinia Perëndimore, Tenesi dhe Xhorxhia. Sipas përllogaritjeve, Hillari Klinton ka siguruar pas "Super të martës" 717 delegatë kundrejt 611 që ka marrë Barak Obama. Nga pala republikane, Xhon MekKejn numëron 511 delegatë, kundrejt 189 për Mit Romnein dhe 143 për Majk Hakëbi. Klinton, 60 vjeç mund të bëhet Presidentja e parë grua e SHBA-së, Obama 46 vjeç, Presidenti i parë me ngjyrë. Xhon MekKejn do të ishte në moshën 72 vjeç, Presidenti më i madh në moshë që merr këtë detyrë. Mit Romnei, 60 vjeç, do të ishte mormoni i parë që do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i ardhshëm i SHBA-së do të jetë njëri nga këta katër kandidatë. Për zgjedhjet e 4 nëntorit, sondazhet nxjerrin fitues me një avantazh të lehtë Xhon MekKejnin përballë Hillari Klinton, nëse këta dy kandidatë do të konfirmohen si të nominuarit përkatës të partive të tyre dhe në avantazh të lehtë Obamën, nëse do të jetë ai që do të përballet me senatorin republikan.