16/04/2012 Raporti i senatorit Lugar përmend asgjësimin
Shqipëria merret shembull për shkatërrimin e armëve kimike
Mariglen Mulla
SHBA- Senatori Lugar, kontribuesi kryesor në asgjësimin e armëve kimike në Shqipëri, ka prezantuar në senat përparimin e programit të tij. Edhe një herë Lugar e përmendi Shqipërinë si histori suksesi dhe kujtoi se aty ishin shkatërruar dhjetëra ton armë kimike. Më 5 prill të këtij viti ai njoftoi në senat për përparimin e vazhdueshëm në programit “Nunn-Lugar”, gjatë muajve dhjetor 2011, janar 2012 dhe shkurt 2012. Në këto muaj janë çaktivizuar 9 mbushje bërthamore, është shkatërruar një raketë balistike ndërkontinentale, u eleminuan 3 raketa balistike të nëndetëseve , u siguruan 6 dërgesat me tren të armëve bërthamore dhe u shkatërruan 201.67 ton metrikë të armëve kimike. Vitin e kaluar ai tha në universitetin e Indianës se “Arritja e këtij misioni kërkon vigjilencë të vazhdueshme. Unë do të vazhdoj përpjekjet e mia për forcimin e aktivitetit “Nunn-Lugar” që eleminon kërcënimet për sigurinë e SHBA para se të arrijnë brigjet tona”. Ndërsa në 2010-ën, në takimin që pati me të, ministri Imami e falënderoi për mbështetjen në eleminimin e armëve kimike. Gjithashtu, në vitin 2010, në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe OSBE-së për shkatërrimin e disa stoqeve të lëndeve kimike. Programi “Nunn-Lugar”, në të gjithë botën, që nga viti 1990 ka çaktivizuar 7,619 mbushje bërthamore strategjike, ka shkatërruar 793 raketa balistike ICBM, ka eleminuar 498 ICBM, 191 raketa ICBM , 155 bombardues, ka shkatërruar 2786.93 ton metrikë armë kimike ruse dhe shqiptare, etj. Ndoshta më të rëndësishmet janë misionet në Ukrainë, Kazakistan dhe Bjellorusi. Lugar bën misione të rregullta mbikëqyrëse në mbarë botën. Gjatë misionit të tij më të fundit, Lugar udhëhoqi një mision në Afrikën Lindore për të zgjeruar përpjekjet për të siguruar kërcënime vdekjeprurëse biologjike.
Lënda ligjore
Në ligjn Nr.9092, datë 3.7.2003 për zbatimin e “Konventës për ndalimin e zhvillimit, të prodhimit, magazinimit dhe përdorimit të armëve kimike dhe për shkatërrimin e tyre” armët kimike janë veçmas ose së bashku: a) kimikatet helmuese dhe paraardhëset e tyre, përveç rastit kur përdoren për qëllime, të cilat nuk ndalohen nga Konventa, me kusht që lloji dhe sasia të jenë brenda normave të përcaktuara në të; b) municionet dhe pajisjet e përgatitura për të shkaktuar vdekje ose dëmtime të tjera, përmes vetive helmuese të kimikateve të përmendura në shkronjën "a " të pikës 1 të këtij neni; c) çdo pajisje e projektuar për përdorim të drejtpërdrejtë të municioneve. Në vendimin nr 38, datë 22.1.2004 u ngrit një bord që do zbatonte këtë konventë.
Imami e Lugar
Më 11 qershor 2010 ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë qëndrimit të tij në SHBA ka pasur takime të veçanta me senatorin Lugar dhe senatorin Liberman. Gjatë takimit që pati me senatorin Lugar, ministri i Mbrojtjes Imami vlerësoi mbështetjen e veçantë që senatori Lugar i ka dhënë veçanërisht procesit të shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri, duke bërë që Shqipëria të jetë i pari vend në botë pa armë kimike. Me këtë rast ai kërkoi nga senatori Lugar mbështetjen e tij për më shumë ndihmë teknike e financiare nga SHBA për përshpejtimin dhe përfundimin e procesit të demontimit në Shqipëri, duke bërë të mundur kështu një sukses të ri, si vendi i rajonit që do të eleminojë plotësisht municionet e tepërta. Nga ana e tij, senatori Lugar vlerësoi arritjet në Shqipëri dhe në FA Shqiptare, sidomos tashmë pas anëtarësimit në NATO.
Marrëveshja me OSBE
Më 14 korrik 2010 në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe OSBE-së për shkatërrimin e disa stoqeve të lëndëve kimike të tipit dichloroethane. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, dhe ish-kreut të Zyrës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosch. Pas këtij akti, ministri Imami theksoi se, “nënshkruam një marrëveshje për shkatërrimin e disa lëndëve kimike jo luftarake, por që gjithsesi janë një barrë për Forcat tona të Armatosura. Kjo marrëveshje është në vijim të disa marrëveshjeve dhe bashkëpunimeve të tjera që Ministria e Mbrojtjes ka pasur me OSBE për shkatërrimin e municioneve të tepërta që kanë FA Shqiptare”. Ministria e Mbrojtjes mori përsipër transportimin dhe sigurinë e sasisë së dichloroethane nga vendet ku mbahet e magazinuar deri në pikën e grumbullimit, si dhe ofron ndihmesë teknike dhe profesionale për të garantuar procesin. Ndërsa transporti nga vendi i grumbullimit në portin e Durrësit, imbarkimi në anije dhe gjithë procesi vijues do të realizohet nga OSBE. Në këtë marrëveshje parashikohet të kryhet eleminimi i 118 ton dichloroethane në një afat kohor 45 ditë.