Zona turistike e Luginës së Valbonës në Tropojë


Kryekomunari: Shpejt asfaltohet rruga nga Bajram Curri.


Turistë të huaj e vendës mbipopullojnë  gjatë stinës së verës perlën e Veriut.


Askush nuk i ka rezistuar tundimit për tu rikthyer në luginën e Valbonës, pasi e ka vizituar një herë atë. Dëshira për të vizituar Valbonën e për të fjetur në shtëpizat prej druri, pasi je rropatur në brigjet e lumit me ujë të kristaltë dhe ke shijuar kuzhinën tradicionale, është edhe më tunduese në këto ditë vere. Vizitorë të huaj dhe vendës garojnë në rrugën që ende trazon pluhur për të mbërritur te Rilindja, Qoku i Valbonës, apo Fusha e gjësë, por dhe më shumë tek bujtinat e ngritura përgjatë rrjedhës së lumit. Natyra i ka dhënë gjithë madhështinë dhe bukurinë e saj kësaj perle të Shqipërisë. Gurgullima e ujit në grykën thikë të ndarë në malet mbi 2500 metra mbi nivelin e detit dhe oshëtima që vjen nga majat me borë të përhershme të fusin në magjinë e luginës të mbushura plot me legjenda për kreshnikët e hershëm Muji e Halili e deri tek të vonët, si Bajram Curri me shpellën e Dragobisë.

Vizitorët

Më të shumtë janë ata çekë, sllovenë, gjermanë që pëlqejnë turizmin malor, ngjitjet alpiniste, sportet dhe aventurat në majat dhe shpellat e pafundme të luginës. Pavël quhet njëri prej tyre që ka ardhur nga Çekia. Valbona është parajsa ime. Rikthehem dhe dy-tri herë në vit. Dua të fle jashtë, të gatuaj vetë, të eci pa fund dhe gjithë kjo mrekulli më mban gjallë edhe në vendin tim, dhe mendja më rri se kur do kthehem, thotë çeku. Në burimin e Valbonës takojmë një kolektiv mësuesish nga një shkollë e Prishtinës. Jam rritur me idenë e prindërve dhe njerëzve të mi se kam emrin e lumit më të bukur në botë. Sot e vizitova për herë të parë dhe me të vërtetë tani po e besoj krahasimin, thotë Valbona, drejtoresha e shkollës.

Banorët

Ata të paktë që kanë mbetur, e dinë mirë se vetëm turizmi malor është mbijetesa e tyre. Kola, Mirashi, por dhe Edi nga Qoku i Valbonës kanë tashmë bujtinat e tyre. Edi thotë se në lagjen e tij prej 7 muajsh mungojnë dritat dhe kjo po e dëmton biznesin. Në dimër në Valbonë ra mbi tre metra dëborë, pati izolim, shembje dhe plot probleme të tjera që ende duket se kanë lënë pasoja. Të gjithë po rikthejnë jetesën e dikurshme, se vetëm ajo josh vizitorët. Komuna ka 10 fshatra me 4310 banorë me 719 shtëpi, ku banojnë 986 familje. Fshati më i madh dhe qendra e komunës Margegaj ka 227 shtëpi, por fshatra të vegjël, si Rrogami, në një shtrirje të madhe ka vetëm 31 shtëpi. Shumë prej banorëve janë në verim në bjeshkët me dëborë të përjetshme. Në lokale e bujtina, sidomos në mbrëmje, dëgjohet ritmi i valles tropojane, tingujt e lahutës e çiftelisë. Rapsodi më i njohur i zonës, Ibrahim Muçaj, nuk e heq kostumin kombëtar me shqiponjë në mes. Bashkë me të birin, ai nxjerr nga thellësia e shekujve melosin dhe folklorin për natyrën, kreshnikët, bjeshkën e luftërat. Ne me traditën tonë në veshje, këngë e instrumente, sjellim para pushuesve tanë atë pjesë të jetës shpirtërore që na ka mbajtur gjallë ndër shekuj, ndër këto male e lugina pa u shuar asnjëherë. Duhet ta shohin njerëzit nga mbarë bota këtë pasuri tonën dhe ta trashëgojmë ndër breza, thotë rapsodi.

Investimet

Jo vetëm banorët, por dhe shteti e organizmat e tjerë financiarë janë tashmë të bindur se investimet në këtë sektor janë prioritare. Në luginë sapo është përuruar Qendra e Zhvillimit të Turizmit, një financim prej 50 milionë lekësh të rinj nga FZHSH-ja me të gjithë aksesorët e duhur dhe materialet propagandistike. Pushtetarë lokalë dhe qendrorë, deputetë e ministra këndej e andej kufirit, janë të një mendjeje se ky lloj turizmi duhet stimuluar. Komunës i prin prej tri mandatesh Rexhë Biberaj, një njeri që nuk resht në punën e tij për të tërhequr sa më shumë investime. Dua të jap disa sihariqe për mysafirët dhe banorët e komunës. Pas pak ditësh nis asfaltimi i rrugës nga Bajram Curri deri në Valbonë. Më pas do vijojmë me ndërtimin e centralit që zgjidh përfundimisht problemin e furnizimit me energji elektrike, si dhe ujësjellësit. Në vitin 2004 këtu vinin 250 turistë në vit, sot vijnë 25 mijë. Ne po punojmë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe donatorët që kësaj perle të mos i mungojë asgjë. Kjo luginë dhe këta banorë afrojnë gjithë mrekullitë që mund të provojë njeriu. Zoti na ka bekuar me natyrën, ne po punojmë ta shfrytëzojmë atë më së miri. Këtu vijnë turistë nga çdo vend i botës dhe gjejnë mikpritjen e paparë, flenë në rrugë anës lumit e në bjeshkë dhe asgjë nuk u ndodh, thotë Biberaj.


Bukuritë e natyrës

Lumi i famshëm i Valbonës, pasi buron në një ujëvarë 50 metra të lartë, vijon gjarpërimin e tij për 5 km si lumë i nëndheshëm, derisa nxjerr krye në fshatin Valbonë. Është e njohur dhe e rrallë trofta që rritet në këto ujëra të ftohta dhe të pastra. Komuna kufizohet më qytetin e Bajram Currit me Malin e Zi dhe Thethin. Majat e shumta në formën e kullave shkëmbore arrijnë deri në 2698 m lartësi duke kulmuar me Jezercën. Pyjet me dushk, ah, pishë dhe livadhet janë unike, por këto masive të virgjëra ruajnë brenda tyre dhe një botë shtazore të egër me ujq, dhi të egra, arinj, drerë, derra të egër, rrëqebuj, lepuj, dhelpra dhe plot e plot shpendë, ku mbretëron mes tyre shqiponja. Të gjitha këto pasuri dhe mikpritja e banorëve janë ftesa më e bukur për të qenë vizitor në luginë. Përrenjtë dhe degët e lumit janë shfrytëzuar bukur për kultivimin e troftës dhe ndërtimin e mullinjve me ujë. Përgjatë luginës janë dhe shumë gjire e ujëvara, por lart në bjeshkë dhe liqene akullnajore si ai i Xhemës, liqeni i Jezercës, dhe shpellat e pafundme.


Qytetarët e nderit në Valbonë


Këngëtarja kosovare, Nexhmije Pagarusha


Ky titull është gjithmonë për mysafirët, thonë në luginë. E i pari është Kryeministri Berisha, që jo vetëm vjen nga Tropoja, por komuna e ka shpallur nderin e saj për kontributin e dhënë në investimet e qeverisë për


Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu


përmirësimin e infrastrukturës. I dyti është ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të cilin e takojmë bashkë me familjen e tij në Valbonë. Valbona për mua është perla e natyrës shqiptare. Unë vij shpesh dhe ndihem si banor i kësaj ane. Besoj fort në punën e këtyre njerëzve të mrekullueshëm dhe krye