“Lugina e kukullave”, romani “best seller” i Jacqueline Susann, vjen në shqip nga shtëpia botuese “Omsca1”, nën shqipërimin e Aiola Zajmit. Më 1967, mbi subjektin e tij u realizua filmi dramatik me të njëjtin titull, me aktorët Barbara Parkins, Sheron Teit dhe Pat Djuk. Romani “Lugina e kukullave” pati një sukses të paparashikueshëm, që kur u botua për herë të parë dhe në vazhdimësi, duke u shitur mbi dhjetëra milionë kopje në mbarë botën. Si romani i parë i një autoreje femër, që arriti këto nivele të kaq të larta shitjeje, hapi rrugën edhe për autore të tjerë për të përshkruar me një penë të fuqishme letrare në librat e tyre jetën e vërtetë private të njerëzve të pasur e të shquar të Amerikës. Në fillim, “Lugina e kukullave” nuk u pranua nga botuesit, subjekti u quajt si i papërshtatshëm për kohën. Por, kur, më në fund, libri u botua më 10 shkurt 1966, korri një sukses të jashtëzakonshëm me personazhet e guximshme dhe paraqitjen e tyre jotradicionale, duke u bërë një nga 10 librat më të shitur të së gjitha kohërave. Thuhet se personazhet e librit janë bazuar në jetën e vërtetë të “yjeve” të atyre viteve. Kështu figura e Nili O’Hara është frymëzuar nga Judy Garland, ai i legjendares Helena Louson të kujton Ethel Merman-in, kurse ai i yllit Xhenifer North, Carole Landis-in dhe Eni supozohet të jetë modeluar sipas karakterit të Grace Kelly-it.