Trazhgim Sokolaj

Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, pritet të përballet sot me Prokurorinë e Përgjithshme, e cila ka kërkuar praninë e tij për t’i komunikuar statusin e të pandehurit.Fletëthirrja me nr. protokolli 1048/74, e datës 24 nëntor 2008, e firmosur prej Kryeprokurores Ina Rama, i kërkon ish-ministrit të Transporteve paraqitjen në ora 14:00, në zyrën e prokurorit Arben Kraja për t’i komunikuar akuzën si i pandehur dhe për t’u marrë në pyetje lidhur me veprat penale që i faturohen. Gjatë ditës së djeshme, prokurori Arben Kraja, i cili po drejton hetimet, ka bërë përgatitjet e fundit për formulimin e aktit të marrjes si i pandehur për ish-ministrin e Transporteve, ndërsa ka konsultuar pyetjet që pritet t’i drejtohen Bashës gjatë ditës së sotme, në rast se ai paraqitet në Prokurorinë e Përgjithshme rreth orës 14:00 siç është parashikuar. Organi qendror i akuzës tha dje se pas realizimit të veprimeve procedurale formale me ish-ministrin e Transporteve Basha, Prokuroria e Përgjithshme do ta dërgojë dosjen për shqyrtim në gjykatë brenda afatit hetimor të 6 dhjetorit 2008.
Modifikimi i akuzave të Sollakut
Organi qendror i akuzës ka refuzuar përgjatë dy ditëve të fundit të bëjë publike zyrtarisht faktet konkrete, në të cilat u bazua në vendimin e papritur për të marrë të pandehur ish-ministrin e Transporteve. Sipas Prokurorisë, procedura e kërkon që këto fakte t’i komunikohen së pari personit të pandehur. Megjithatë, nga burime jozyrtare të Prokurorisë mësohet se aktakuza ndaj ministrit Basha, nuk ka ndryshuar shumë nga ajo që u formulua vitin e kaluar më 15 tetor 2007, në kohën kur Prokuroria e Përgjithshme drejtohej nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Siç tregojnë burimet, aktakuza është thuajse e njëjtë, ajo përmban të njëjtat shkelje të konstatuara që në kohën e Sollakut, veçse së fundi Prokuroria e Përgjithshme ka bërë disa modifikime, duke shtuar në listën e provave raportin e ekspertimit kontabël për dëmin e shkaktuar shtetit, si dhe duke hequr disa “shkelje”, që theksoheshin në aktakuzën e kohës së Sollakut, të cilat janë konsideruar më tepër si kundërvajtje administrative sesa penale. Thelbi i akuzave ndaj ish-ministrit të Transporteve është mënyra si u caktua përbërja e komisionit të vlerësimit të ofertave për kompaninë ndërtuese të aksit Rrëshen-Kalimash, procedura e përzgjedhjes së firmës supervizore, një subjekt grek, paradhënia rreth 55 milionë euro për kompaninë ndërtuese “Bechtel-Enka” para se ajo të fillonte punimet si dhe kostoja e lartë për njësi rruge, e cila ka kushtuar në buxhetin e shtetit plot 1 miliard e 23 milionë euro.