Lul Berisha dhe Indrit
Dokle kanë dalë dje në
mënyrë demonstrative
njëri pas tjetrit nga salla
e gjyqit, pas një vendimi të dhënë
nga trupi gjykues, në lidhje me
rrëzimin e disa kërkesave dhe
provave të kërkuara nga mbrojtja.
Dalja e tyre nga salla nuk i ka
dhënë as në këtë seancë mundësi
të penduarit, Adriatik Coli, të
rrëfehej përpara gjykatës. Braktisja
e sallës nga të pandehurit
dhe avokatët e tyre erdhi pasi
gjykata refuzoi të pranonte
kërkesën e tyre, që në gjykatë të
vijnë për të dëshmuar Kryeministri
Sali Berisha, Kryeparlamentarja
Jozefina Topalli dhe ish-ministri
i Brendshëm, Sokol Olldashi.
Pas kësaj, avokatët thanë se
gjyqi është i montuar politikisht
dhe duke akuzuar disa prej
krerëve të shtetit, provë për të
cilën kërkonin të administronin
një CD, me fjalimet në parlament
të krerëve të shtetit shqiptar, kur
ata kanë përmendur emrat e të
pandehurve. Kjo kërkesë, e cila
nuk është pranuar nga Gjykata e
Krimeve të Rënda, u ka dhënë
mundësinë avokatëve të gjejnë
edhe një tjetër mundësi për ta
braktisur sallën e gjyqit, por
prokuroria ka kërkuar pezullimin
e afateve të paraburgimit, duke
mos i dhënë mundësinë atyre të
përfitimit për llogaritjen e kohës
së paraburgimit.
Megjithëse kanë paguar qindra
mijëra euro për eliminimin e
njëri-tjetrit, Lul Berisha dhe Indrit
Dokle, dy hasmit e dikurshëm,
kanë "bashkëpunuar" sërish
dje në Gjykatën e Krimeve të
Rënda, duke habitur anëtarët e
tjerë të bandave kriminale të
Durrësit. Të urryer deri në vdekje
nga njëri-tjetri, Berisha dhe Dokle
e kanë parë të arsyeshme të
sheshojnë mosmarrëveshjet,
duke krijuar një konfuzion në
gjykatë. Të ndarë nga dhjetëra
punonjës të policisë dhe nën sytë
e medias, Lul Berisha ka bërë një
kërkesë që në seancë të dëshmojnë
tre nga shtetarët më të lartë
aktualë.
Një seancë më parë Berisha-
Dokle, pasi hynë në kafaz të fundit
në radhë, u shfaqën jo më si
dy armiq betuar kohë më parë,
por i dhanë dorën njëri-tjetrit,
duke u përshëndetur dhe ulur
fare pranë, por të ndarë me
efektivë të policisë. Menjëherë pas
rehatimit në kafaz, dy "krerët" e
bandës të ndarë që nga viti 2005,
filluan të shkëmbenin fjalë dhe të
qeshnin me batutat mes tyre, gjë
kjo që ra në sy në sallën e gjyqit,
duke shprehur habi te të pranishmit
në seancën e djeshme gjyqësore.
Biseda mes tyre zgjati rreth
15 minuta, deri në momentin e
hyrjes në sallë të trupit gjykues,
që u ndërpreu dy të pandehurve
bisedën dhe të qeshurat nga
batutat e shkëmbyera. Më
shumë sesa shkrirje akujsh, komunikimi
i përzemërt "faqe
botës", duket si një pakt mes dy
krerëve të bandës së Durrësit,
për të rrëzuar kësisoj dëshminë
e të penduarit Adriatik Coli.