Nga Armir SHKURTI/ Çfarë estrade!! Basha hero!!! I buzëqeshuri, i buti, europiani Basha na del në variantin Sali, bllokon foltoren e Parlamentit në shenjë proteste dhe bëhet i pari deputet që përjashtohet nga kryetari Gramoz Ruçi.


Në analizë teksti, ky skeç zbërthehet kështu:


Lulzim Basha është një lider i vendosur. Lulzim Basha është një opozitar agresiv. Lulzim Basha është trim. Lulzim Basha është udhëheqësi. Jo Berisha por Basha e bën rrëmujën. Lulzim Basha pra është hero! Këtë analizë teksti e çimenton jo thjesht sjellja e kryetarit të Partisë Demokratike por mbi të gjitha ajo e Kryetarit të Kuvendit.


Jo pa qëllim Gramoz Ruçi theksoi Zoti Basha nuk do të dëshiroja kurrë që masa e parë në parlament ti jepet liderit të opozitës. Ky Gramozi, për të cilin opozita bëri një gjoja rezistencë kur ai u zgjodh në krye të Kuvendit, përjashton liderin e opozitës se po bën rezistencë të ashpër!


Skeçi në fakt funksionoi, pasi në televizionet e akaparuara prej kohësh nga Rama dhe cektësinë e portaleve që punojnë vetëm për titullin scoop, doli se Ruçi (pra komunisti, ish ministri i brendshëm i Ramiz Alisë etj etj) përjashtoi nga seanca Bashën.


Po pse duhet heroi dhe heroizmi sot?


Së pari, në gjithë tollovitë dhe kaladibrançet që ndodhën në PD nga 18 maji e këtej, kryetarit i duhej kjo e sotmja për të thënë në një farë mënyre se unë jam.


Së dyti, i duhet edhe pushtetit shumë që të konturojë atë raport të vendosur prej 18 majit: Rama pushteti e Basha opozita. Dhe Basha është gjeni në prodhimin e kauzave boshe për të injoruar çështje të rëndësishme.


Së treti: LSI! Është vijim i çështjes së dytë, ose më mirë , pjesë e saj, por meriton pak më shumë kohë. Dje, kryetarja e LSI doli dhe shpalli Frontin Kombëtar Kundër Krimit të Organizuar, ku ftoi të bashkohet kushdo, i majtë a i djathtë qoftë, pa dallim krahine, feje, ideje. Me këtë kauzë, pra zhdukjen e bandave, Sali Berisha, 8 vjet pasi e kishin rrëzuar nga pushteti me kryengritje të armatosur, u rikthye në pushtet. Sot më fort se atëhere është problem kombëtar dhe ndërkombëtar dhe ka një ndjeshmëri të lartë popullore. Ideja e frontit gjithashtu është e rrezikshme për dyshen Rama & Basha, sepse do të thotë që gjithë forcat e dëbuara nga parlamenti prej marrëveshjes së 18 majit , të destinuara të shuhen, kanë motiv dhe shpresë rreth këtij bashkimi. Atëhere? Si përherë , bëjmë një zhurmë tjetër për të tërhequr vëmendjen dhe për të konfirmuar se ne jemi pushteti dhe Basha është opozita, siç ka qenë përherë.


Dhe e fundit , për këtë heroin e ditës. Në legjislaturën e kaluar 3 kanë qenë fushatat kyçe: Dekriminalizimi, reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore. Duke harxhuar 2 vite të plota me dy të parat, Basha e la për vjeshtën e kaluar reformën zgjedhore, duke e bërë të pamundur të zbatohej edhe nëse punët do të shkonin fjollë, për shkak se u dogjën shumë afate. 27 vjet përvojë paskomunizëm dhe 45 komunizëm na kanë mësuar se kjo politikë nuk ka nevojë për fantazi, por i ka ende të gatshme klishetë. Një prej tyre është edhe kjo: Bëhet zhurmë ose për të tërhequr vëmendjen nga diçka tjetër , ose, në rastet kur janë në lojë të gjithë, për ta shitur si fitore heroike atë që është vendosur prej kohësh me tjetrin të bëhet.