firenzioz_0E quajnë Lulzim Vulashi, një prej mijëra shqiptarëve të emigruar në Itali. Por që ka ngritur një biznes të tijin dhe ka pasur një ide që po bën të flasë shtypin italian. Dyqani i tij në Firence u jep nënave të reja që hyjnë aty, bukën falas. Për JAVA Lulzimi tregon peripecitë e jetës dhe misterin e profesionit që e ka lidhur me qytetin e Dantes


Nga Gladiola Bendaj*


 


mars 2014


Një ide që ka marrë përgëzimet e të gjithëve dhe ka fituar në pak ditë një popullaritet të madh. Në këto kohë krize, altruizmi i këtij shqiptari të fton në bujari. Sepse ai bën aty, në qytetin që e priti nëntëmbëdhjetë vjet më parë, me gjithë vështirësitë e kohës, atë që asnjë italian tjetër nuk e bëri. Sepse e tillë ka zgjedhur të jetë këtë vit pranvera e tij fiorentine. Bukë, kripë e zemër, nga Pane, amore e fantasia.


Asnjë nga ato klishetë që i dedikohen një arsyeje të veçantë. Qëlloi nëpër ato bisedat e natyrshme mes tij dhe klientëve, që vitet i kanë kthyer në miq të të përditshmes. Teksa fjala binte te e shumëpërfolura krizë. Aty, në lagjen e tyre jo të vogël, si kudo, sigurisht që jo të gjithë ia dilnin paq, edhe pse të paktë mund të qenë ata që kjo krizë iu kishte vënë në shtrëngesë edhe bukën e gojës. Megjithatë, sikur të gjithë ata që kanë mundësi të jepnin apo të bënin diçka për ata që kanë më pak mundësi për të përballuar krizën, sigurisht që kjo e fundit do të ndihej më pak, thotë Lulëzimi.


Një nismë simbolike, në kuadrin e pranverës së tij fiorentine. Sepse stina që çel ngado jetën, duhet të burojë mirësinë dhe bujarinë e të gjithëve. Ndaj dhe unë zgjodha ditën e parë të pranverës për të bërë këtë ofertë. Të gjitha gratë dhe vajzat që kanë një fëmijë deri në gjashtë muajsh, deri në fillim të vjeshtës do ta marrin bukën falas në furrën tonë.


Sepse është Pane, amore e fantasia, është koha për të dhënë dashuri. Në emër të jetës, të jetës së re që sapo ka çelur. Aq më tepër që bebet janë dobësia e tij.


Nisi pas batutave kjo përzgjedhje. Qëlloi këtë dimër që shumë nga klientet e mia ishin shtatzëna, ose kishin plane për të pasur fëmijë, dhe sa herë unë e ime më përgëzoheshim me to, në bisedë e sipër, ja ku ja behte kriza me gjithë psherëtimën nga pas. Të mirë janë, të mirë, po ec e rriti në këtë ditë sot…. Dhe ne iu thoshim: Aman bëjini, pa bukën e keni falas, ja bukën po e heqim ne, dhe qeshnim. Deri sa, thuaj sot e thuaj nesër, e morëm seriozisht, thotë Lulëzimi duke qeshur.


Tani të gjitha nënat e reja mund ta marrin aty bukën falas, madje edhe ato që nuk janë kliente të furrës së Vulashëve. Dhe për këtë nuk është sigursht nevoja të paraqesin ndonjë certifikatë lindjeje. Mjafton fjala.


Sepse shqiptarët, siç kujton ai, kanë gjithmonë e për këdo, bukë e kripë e zemër. Dhe të qënit bujar është një zakon-virtyt që secili nga ne duhet të luftojë për të mos e humbur, shton Luli.


Do të mjaftonte vetëm dëshira e mirë. Kostoja ishte e pandjeshme, jo më shumë se 25-30 kilogramë bukë në ditë, dhe aq më tepër që furra e tyre nuk e kishte ndjerë pothuaj fare këtë krizë, si pak biznese të tjera përqark.


Kemi një klientelë fikse, e cila vërtitet sipas frekuentimit në 1000-1200 persona dhe vjen gjithnjë në rritje.


Do t’i vinte keq nëse kjo do të përkthehej si lëmoshë. Për të dhe gjithë familjen e tij, ky le të vinte si një gjest dashurie kundrejt jetës që po çel.


E bëra për dy arsye. E para sepse më pëlqejnë bebet shumë dhe, së dyti, duke menduar se kjo mund të vlejë si shembull për shumë të tjerë. Fundja, sikur të gjithë të bënin nga pak sakrificë, bota do të ishte më e bukur dhe jeta më e lehtë, thotë ai.


Ndërkaq, në pak ditë lajmi ka marrë dhenë aty, dhe përgëzimet nuk kanë vonuar. si për të trumpetuar pak më tej një shembull. Kam marrë përgëzimet e të gjithëve për këtë iniciativë, e cila është çmuar sigurisht më shumë si ide se sa si material. Veç kësaj, kam marrë urime dhe më kanë përcjellë përgëzimet e tyre me shkrim nga shumë shoqata bamirësie, nga spitali i fëmijëve të Firenzes, më ka nisur letër përgëzimi ambasada shqiptare këtu, ish kryebashkiaku i Firenzes, Matteo Renzi, sot kryeministër i Italisë, etj. Të them të drejtën, nuk e prisja këtë popullaritet. Unë për çdo vit përgatis ndonjë ofertë për klientët e mi. Këtë vit ishte kështu, pak më e veçantë ideja, ndaj.


Kjo nuk është hera e parë që Pane, amore e fantasia hap dyert pa kërkuar asgjë në këmbim. Qysh prej vitit 2007, çdo të premte, Lulëzimi bashkë me familjen e tij, në bashkëpunim me kishën që kanë aty pranë, përgatisin ushqime dhe ua shpërndajnë të pastrehëve.


Jam shumë i kënaqur me punën time dhe, njësoj si unë, edhe familjarët e mi këtu nuk e ndiejnë ditën, e cila nis gjithmonë në mëngjes herët. Furrat e bukës janë të parat që hapen. Ne jemi këtu çdo ditë në orën gjashtë, bëjmë pak pushim në mesditë dhe pastaj vazhdojmë deri në tetë të darkës. Puna ka ardhur duke u rritur nga viti në vit. Llojshmërisë së bukëve shumë shpejt do t’i shtoheshin edhe ëmbëlsirat, verërat, proshutat e djathrat dhe kateringu i festave.


Mua më pëlqejnë shumë festat, të merrem me organizimin e tyre. Kateringu erdhi nisur nga kjo. Si fillim e nisa në vitin ’99, duke përgatitur festat e vogla të miqve e të njohurve të mi. Pastaj nga këto festa të vogla private, nisa me organizimet e tyre në teatro e më pas në pallate sporti, me këngëtarë e të tjerë të ftuar. Të gjitha festat e shqiptarëve që janë bërë në Firence nga viti 2000 deri në 2008 i kam organizuar pothuajse të gjitha unë, tregon Lulëzimi.


I urtë, punëtor, altruist, ai i ka hedhur tashmë rrënjët e veta italiane, por pa shkulur kurrë ato shqiptare.


Kam punuar gjithandej, nëpër furra buke, nëpër bare e restorante, derisa ia mësova këtij zanati, dhe në vitin 2000 arrita të hapja një furrë buke në qendër të qytetit, sëbashku me një ortak italian, me të cilin punova deri në vitin 2005. Në vitin 2006 u shkëputa dhe fillova të punoj vetë këtu ku jam tani. shumë shpejt mu bashkua dhe familja ime, nëna Sherife, babai Bahri, vëllai Besnik, kushërinjtë Nuro dhe Ervin. Puna filloi të rritej shpejt gjatë këtyre viteve. Ne jemi rritur me krizën. Nga dy vetë që ishim në fillim, tani jemi tetë vetë që punojmë këtu.


 


mars 1995


Atëherë vetëm 16  vjeç, i urtë, guximtar, por shoqëruar nga një drojë e natyrshme për ditët që po kalonte. Lulëzimi la për herë të parë Shkodrën, qytetin e tij të lindjes dhe zbriti në Vlorën e skafeve. A do të ishte i mëshirshëm deti me të? Po vendi matanë tij, tek i cili kishte varur shpresat e jetës? A do të mbërrinin mirë? Po pastaj… çdo të bënin pastaj? Një histori aspak e ndryshme nga ajo e shumë shqiptarëve të tjerë asokohe. udhëtimi natën, moti i ftohtë, mbërritja, dhe pastaj