(ALBANIA SPORT) – Lushnja dhe Elbasani, dy ekipet e mëdha të Kategorisë së Parë, e që ndajnë bashkërisht vendet 2-3 me pikë të barabarta, nga 35, do të përballen në transferta diametralisht të kundërta.
Lushnja e Artan Banos është përballë një sfide shumë të vështirë në Velipojë kundër Adës së vendit të katërt (31 pikë), ndërsa Elbasani i Muharrem Dostit në një vizitë në Cërrik kundër Turbinës modeste.
Në fazën e parë, të dyja skuadrat i fituan takimet respektive, Lushnja fitoi 2-0 me Adën në “Roza Haxhiu” (golat u shënuan nga Dorian Bubeqi dhe Klodian Arbri), ndërkohë që Elbasani mori tri pikët në “Ruzhdi Bizhuta” falë një goli të realizuar nga Jasmin Rraboshta në minutën e 30-të.
Duke folur për takimin kundër Adës, sulmuesi beratas  i Lushnjës, Klodian Arbëri, autori i një prej golave në fitoren e fazës së parë dhe pesë golave sezonalë, tha: “Ndaj Adës do t’i shprehim të gjitha cilësitë tona, duke luajtur futbollin më të mirë që ka skuadra. Kundërshtari është një skuadër interesante dhe shumë i fortë në shtëpi”.
Në fakt, Ada ka fituar 8 nga 9 takimet e luajtura në Velipojë (1 barazim), duke qenë njëherësh një makinë e frikshme golash: 31 të tillë, aq sa ka realizuar Lushnja në total gjatë 17 javëve.
Lushnja do të jetë pa sulmuesin Dorian Bubeqi (të skualifikuar), golashënuesin më të mirë të saj dhe të kampionatit të Kategorisë së Parë (12 gola), por edhe pa mbrojtësin Alert Alcani, autorin e golit të fitores 1-0 kundër Turbinës një javë më parë. Ada nga ana e saj nuk ka asnjë futbollist të skualifikuar.
Elbasani nga ana e tij, pas fitores 3-0 kundër Sopotit një javë më parë, duket se do ta ketë dhe aq të lehtë ndaj librazhdasve, të cilët humbën me vetëm një gol me Lushnjën në javën paraardhëse.
Ndeshja në Cërrik do të zhvillohet në masa të rrepta sigurie, por ajo që vendos nën stres kampin elbasanas janë masat e pritshme drastike në rast dështimi ndaj Turbinës. Elbasani shpesh herë shfaqet i brishtë në ndeshjet jashtë shtëpisë, 4 humbje në 8 takime, përfshirë edhe atë në javën e parë të fazës së dytë me Besëlidhjen në Lezhë (3-2).
TAKIMET E FAZËS SË PARË
Lushnja-Ada         2-0
Bubeqi 34’, Arbëri 70’
 
Elbasani-Turbina     1-0
Rraboshta 30’
Burimi: Albania-sport.comE Premte, 12 Shkurt 2010






 
Shto dhe ti komentin tend



Emri dhe e-maili