Nga Julian Kasapi


Numrat e trajnerit Saimir Malko në krye të verdhejeshilëve janë të frikshëm. Është meritë e tij vendi i dytë, që skuadra mban aktualisht


Ka qenë java e 6-të e kampionatit, kur Saimir Malko zëvendësonte në stolin e Lushnjës Ramadan Baballëkun, për shkak të rezultateve të dobëta të skuadrës. Lushnja luajti në Gjirokastër atë javë me Luftëtarin vendës dhe deri në atë kohë shumica e tifozëve lushnjarë ishin skeptikë për objektivin e skuadrës së zemrës, ngjitjen në superligë, por gjërat më pas ndryshuan më pas si me shkopin magjik.


Lushnja ka marrë 8 fitore radhazi, e fundit të shtunën me Adën, në 9 ndeshjet që drejtohet nga Malko, duke regjistruar kështu shifra rekord. Janë plot 24 pikë të marra nga trajneri Malko nga 27 të mundëshmet, si asnjë nga kolegët e tij në skuadrat e tjera të kategorisë së parë. Një javë para mbylljes së fazës së parë verdhejeshilët janë ngjitur në vend të dytë, duke parakaluar shumë skuadra, disa prej tyre rivale të drejtpërdrejta.


Dhe fakti më i rëndësishëm është se skuadra myzeqare jo vetëm që ka bërë detyrën në stadiumin Roza Haxhiu, por ka fituar edhe jashtë fushe. Tri janë fitoret e lushnjarëve në transfertë dhe është pikërisht kjo arsyeja që ata qëndrojnë vetëm një pikë pas Luftëtarit kryesues (me një ndeshje më pak).


Tani të gjithë në Lushnjë mendojnë se, nëse që në fillim të kampionatit do të kishte qenë Malko në krye të skuadrës, me siguri Lushnja do të udhëhiqte kampionatin, pse jo dhe e shkëputur nga rivalët.Kujtojmë që në 5 javët e para Lushnja ka lënë pikë në fushën e saj në ndeshjet me Himarën dhe Besëlidhjen, si dhe jashtë fushe me Skraparin e Vlorën. Gjithsesi, e rëndësishme është që Lushnja është futur bindshëm në garën për superligën dhe titullin kampion të kategorisë së parë dhe se grupi cilësor i futbollistëve po prodhon lojë dhe rezultate.


Kukësi Ka edhe një pengesë për këtë vit për skuadrën myzeqare. Të mërkorën luhet transferta e Kukësit, që është një nga rivalët kryesorë për kreun. Janë pak ditë në dispozicion dhe stafi teknik do të përpiqet ta përgatisë grupin e futbollistëve për një tjetër rezultat pozitiv. Në këtë ndeshje trajneri Malko nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Bufasi, i ndëshkuar me karton të kuq në fitoren 3-0 ndaj Adës.


 


24 pikë


nga 27 të mundëshmet ka marrë trajneri lushnjar në 9 ndeshjet që e drejton skuadrën verdhejeshile


 


3 fitore


në transfertë kanë myzeqarët me Malkon në krye. Ata kanë marrë 3 pikët në fushën e Burrelit, Ilirisë dhe Gramozit