Nga Julian Kasapi


Objektivi për momentin duket larg atij të sezonit të kaluar, sepse në skuadër ka vetëm futbollistë të rinj në moshë, por gjërat edhe mund të ndryshojnë


Verdhëjeshilët vijojnë periudhën parapërgatitore të fazës së verës, deri në këto momente në shtëpi, konkretisht në stadiumin Roza Haxhiu. Skuadra aktuale përbëhet kryesisht nga futbollistë të rinj, të cilët presin të zënë një vend në Lushnjën, që do ta drejtohet edhe sezonin e ri nga trajneri Sajmir Malko, ndërsa ndihmës i tij do të jetë Blerim Hasalla.


Pritet që bordi i specialistëve të japë verdiktin e tij për futbollistët e rinj, nëse do të jenë apo jo pjesë e  verdhejeshilëve sezonin e ardhshëm. Vneidmi për ta i është lënë këtij grupi specialistësh në dorë dhe jo trajnerit Malko, i cili po i stërvit njëlloj sikur të ishin pjesë zyrtare e skuadrës.


Objektivi Mbetet ende i paqrtë objektivi, që do të ketë skuadra e trajnerit Malko sezonin e ri, pasi nën armë nuk ka emra të rëndë. Askush nga futbollistët që sheh aktualisht në amijentet e stadiumit Roza Haxhiu nuk ka diskutuar për kontratën e re, që do të kenë zgjatje prej një viti, por palët ende nuk janë ulur të flasin.


Hapësirat e lëna për futbollistë si Çela, Sefa, Byzhyti, Topi, Sulo apo dhe ndonjë tjetër, do të thotë se këta futbollistë mund të kërkojnë një skuadër, që mund të përmbushë kërkesat e tyre si profesionistë.


Por, çfarë do të mbetet te Lushnja? Këtë do ta mësojmë vetëm kur skuadra të marrë formën për sezonin e ri, ku, mesa duket, nuk do të ketë synimet e sezonit të shkuar. Këtë e kuptojnë të gjithë në Lushnjë, kur në skuadër ka vetëm futbollistë të rinj në moshë.


Ish-ët Futbollistë të tjerë të shkollës lushnjare, si Korreshi apo Ndoni, janë parë në ambientet sportive dhe po stërviten bashkë me pjesën tjetër, ku bëjnë pjesë edhe Xhafa, Bufasi e ndonjë tjetër.


Të vetmit që i kanë shprehur synimet e tyre për të qenë pjesë e Lushnjës deri ani, janë dy yje të sezonit të shkuar, bomberi Canka dhe portieri Bejte. Megjithatë, pritet të sqarohet qëndrimi i presidencës për objektivin dhe financat për sezonin e ardhshëm, që futbolilstët të vendosin.