Nga Julian Kasapi


Lushnja do ta kalojë këtë javë pa ndonjë ndeshje miqësore, edhe pse drejtuesit e saj u përpoqën për të gjetur kundërshtar. Në këto kushte, kur asnjë skuadër nuk ka pranuar të luajë kundër verdhejeshilëve, këta të fundit do të mund të ndeshen mes tyre. Seancat stërvitore këto ditë janë zhvilluar normalisht, sepse edhe moti ka qenë i favorshëm.


Stafi teknik ka gjithë kohën e nevojshme për të ndrequr defektet që janë vënë re në ndeshjen me Mamurrasin, ku barazimi mund të konsiderohet një humbje për lushnjarët. Vëmendja e trajnerit Malko është përqendruar te sulmi, që nuk ishte rezultat në ndeshjen e fundit. Lushnja krijoi mjaft raste në transfertën e Mamurrasit, por asnjëri prej tyre nuk u kthye në gol.


Për këtë arsye do të ishte mirë që të zhvillohej sot një ndeshje miqësore, por drejtuesit nuk ia kanë arritur qëllimit. Kërkuam kundërshtar për një ndeshje miqësore, por nuk mundëm të gjenim asnjë, kështu që skuadra do të vijojë përgatitjet për ndeshjen e radhës me Vlorën, ku nuk duhet ta diskutojë fitoren, – ka thënë dje sekretari i klubit të futbollit lushnjar, Judmir Shurdhi.