Kushtrim Lushtaku ka mbetur paksa i lënduar, pasi dështoi transferimi i tij në Orebro. Klubi suedez i ofroi kontratë, por më pas i ndërroi fjalët, duke kërkuar kohë. 21 vjeçari shpreson ende të nënshkruajë me këtë klub, por përmend edhe mundësi të tjera që ka në Suedi.


Nga Express më 25 shkurt 2011 në ora 11:55

Kushtrim Lushtaku ka mbetur paksa zemërthyer, pasi që transferimi i tij tek Orebro ka dështuar. Sulmuesi kosovar i kishte kaluar provat te klubi suedez dhe pritej nënshkrimi i kontratës, por gjithçka dështoi në momentet e fundit.



“Fillimisht m’u ofrua kontrata, por më pas na thanë se kishin nevojë për më shumë kohë dhe nuk mund të na shpjegonin përse”, theksoi futbollisti drenicas për ueb faqen suedeze svenskafans.com.



21 vjeçari shfaqi vlerat e tij në përgatitje, por edhe në disa ndeshje miqësore. Mirëpo, Orebro, e cila fillimisht i ofroi kontratë, i ndryshoi objektivat dhe u përqendrua te dyshja sulmuese: braziliani Paulinho dhe sulmuesi tjetër kosovar, Valdet Rama. “Menaxheri im ishte mjaft i mllefosur me vonesën e Orebros dhe m’i tregoi të gjitha gjërat që po ndodhnin”, vazhdoi ai.



Është evidente se edhe Kushtrimi është i frustruar nga kjo situatë. Ai është në pritje të informacioneve nga dy lojtarët e sipërpërmendur. Natyrisht, Lushtaku e pranon se do t’i pëlqente t’i mbronte ngjyrat e Orebros. “Do më pëlqente të luaja me Orebron. Kam pasur kontakte mjaft të mira me të gjithë futbollistët dhe me trajnerët. E pëlqej shumë mënyrën e lojës së tyre”, shtoi ai.



Lushtaku është kthyer për të stërvitur me ekipin e tij të deritashëm Monaco 1860, derisa ta gjejë një klub tjetër. Mediat suedeze shkruajnë se një tjetër klub suedez është i interesuar për mesfushorin kosovar. Pra, futbollisti ofanziv mund të përfundojë te një rival i Orebros. “Është e vërtetë, por nuk mund t’ju them se për cilin klub bëhet fjalë, kaq. Shpresoj të më kuptoni”, përfundoi Lushtaku.



Ish futbollisti i Drenicës së fundmi është provuar edhe te klubi tjetër suedez, Kalmar.