Lufti Nuri do të jetë sponsori i Tiranës të paktën për sezonin e ardhshëm.
Ky zhvillim ka ndodhur mbrëmë, disa orë pas protestës së tifozëve të ekipit para bashkisë.
Ende nuk ka asgjë të firmosur mes palëve dhe zoti Nuri e familja e tij nuk do të marrin përsipër të gjitha shpenzimet që mund të kërkojë klubi bardheblu i futbollit për një sezon të tërë.
Këtë e pohoi në linjë telefonike për “ABC News” vetë Nuri, duke komentuar se ai thjesht ju përgjigj një kërkese të bërë nga bashkia në një moment të vështirë për Tiranën.
Nuri ka qenë edhe më parë sponsor dhe president në sezonin 1998-1999 kur Tirana fitoi kampionatin dhe kupën e Shqipërisë.
Ditën e djeshme tifozët e Tiranës protestuan sërish përpara Bashkisë, duke kërkuar zgjidhje.
Kjo ishte protesta e tyre e dytë dhe tifozët janë të shqetësuar se kampionati nis këtë fundjavë, ndërsa klubi nuk ka bërë asnjë përforcim.
Bashkia e Tiranës ka në pronësi 100% të aksioneve të klubit kryeqytetas, ndërsa ka në plan që t’i shesë këto aksione. Kandidatë ishin Safet Gjici, president i Kukësit si dhe dyshja e përbërë nga Lutfi Nuri e Ardian Takaj, president i Skënderbeut.