Zija Çela



Skeda e parë


Është e çuditshme se si mund të ikësh nga kjo jetë pa lexuar disa libra të kolegëve, që nuk dihet pse të kanë shpëtuar nga vëmendja deri atëherë. Për shembull, librin Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit.Më ngjan se është një roman i dimensionit epokal. Jo se sjell fakte që bëjnë histori, por se sjell personazhe që atë epokë historike e kthejnë në letërsi. Sipas meje, skenat më të vështira për tu përballur artistikisht janë takimet e Met Rrokes me Komandantin Suprem, gjyqi i Hagës dhe demonstratat e studentëve, të cilat nisin me Kushtet dhe kalojnë te Kushtetuta. Skena e fundit vjen si në një film me ekran të gjerë, ku çdo gjë shihet, por në vend të kolonës zanore me efektet e zallamahisë dhe të eksklamacioneve, ka tekst, ka rrëfim. Është një rrëfim i teknikës së lartë që vjen i alternuar nëpërmjet tri kontrasteve: syrit autorial, syrit të informatorit Faton Leqi, syrit të protagonistit Rroka. Nëse këto tri brinjë përbëjnë një trekëndësh, atëherë këtë imazh na duhet ta përfytyrojmë me majën poshtë. Sepse këto skena nuk tregojnë vetëm çfarë ka ndodhur në Prishtinë, por në ndjesitë e lexuesit paralajmërojnë edhe gjithë përmbysjen e ish-Jugosllavisë. Veton Surroi shkruan me njohje çdo episod të romanit, qoftë skenë e madhe apo e vogël, vendase apo e huaj, hollësi apo emër personazhi. Fjala e autorit ka peshë, por nuk ka lagështirë. Kultura e shkrimit nuk rri jashtë, si gjalpi në rriskat e bukës. Ajo është e tretur në të gjitha temat e nëntemat, që nga ajo e pushtetit, përditshmërisë, personalitetit, dashurisë, vetmisë, biblikes, somelerisë e deri te Blanche Du Bois (Tennessee Williams). Pas kapitullit të parë e deri në fund, mbasi i ka ardhur dora, shkrimtari hyn plotësisht në stilin e tij të pastër dhe njëkohësisht çekiç. Në stilin me një precizitet milimetrik, ku fjala përdoret shpesh si pika e shiut, e cila prej përsëritjes ngulmuese (rimarrjes në art) shpon edhe gurin. Teksti i Veton Surroit përmban ndjeshmëri krejt të veçantë. Duket sikur, kur shkruan, autori ka një kompresë të ftohtë në ballë. Por kjo nuk do të thotë se zhiva e termometrit nuk punon ndërkaq nën sqetull. Dy protagonistët, Met Rroka dhe Marie Gjoni, nuk ishin hasur në këto përmasa në letërsinë tonë. Ata sjellin shumë jetë dhe, po aq, mendim e turbullim. Prej kompleksitetit që kanë, pse jo dhe rigave të perversitetit, Rroka e Maria sikur të fusin në gjynah, prandaj ndaj tyre smund të jesh moralisht i njëanshëm. Kam dëgjuar aty-këtu se, po të shkruash mirë për këtë autor, bën plot kundërshtarë. Po mendoj të kundërtën. Nëse do të shkruaja një ditë, do të shpresoja që edhe këta të më shihnin si mik, pasi letërsia e mirë të gjithëve na bashkon.


Skeda e dytë


Në këtë roman, thënë përmbledhtas, koha është kapur për fyti nga autori. Te Miliarderi nuk është instinkti dhe dora e politikanit Veton Surroi, por fund e krye intuita dhe dora e shkrimtarit. Inflacioni i monedhës (dinarit) kthehet në një metaforë gjithëpërfshirëse edhe të vlerësimit e të zhvlerësimit moral, shoqëror e politik të vetë njeriut, pra të personazheve përfaqësuese që gëlojnë në libër. Si shkrimtar, ai jo vetëm është ndodhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, por ka bërë edhe gjënë e duhur. Surroi ka shkruar romanin që kurrkush tjetër nuk do ta rrokte dhe as do të dinte ta shkruante në këtë mënyrë. Romanin që shumëkush as do të donte ta dinte se është shkruar, aq më pak ta pranonte se dikush e ka shkruar, duke e rrokur picillak në këtë mënyrë. Autori ka shkruar një roman neo-ekzistencialist dhe, krahas guximit artistik e civil, patjetër me objektivizmin e tjetërllojshëm të bashkëkohësisë. Kur e kaluara të shkojë, siç lexohet në fund të librit, përveçse si letërsi, ky libër mund të shërbejë edhe si muzeum, fototekë, kinotekë dhe zyrë adresash të një realiteti që, sado të ndryshojë prej kalimit të kohës, do të shtresëzohet në brendinë humane. Dhe, po ashtu, do të arkivohet e do të ruhet diku përgjithmonë. Po ku? Ndoshta në të ardhmen e shkuar dhe në të shkuarën e ardhme njëkohësisht. Pyetja shtrohet se me çfarë vetëdije do të ndodhë ballafaqimi atëherë? Duke e njohur prirjen e vjetër njerëzore se midis tri seksioneve i pari që përjashtohet është Ferri, ndërsa e para që parapëlqehet është Parajsa, besoj se prapëseprapë do të mbetet mjaft popull edhe për Purgatorin e këtij libri. Përse, gjatë leximit, më vërtitet ideja e shpengimit autorial? Duke qenë romani premierë, më ngjan se Surroi vjen në letërsi i çliruar nga publicistika. Dhe ky është shpengimi i parë. E përmend këtë çlirim autorial, sepse ajo është fusha ku deri atëherë ka spikatur jo vetëm për pikëpamjet, por edhe për tekstin, stilistikën e stofit të tij. Ka qenë krejt e mundshme që fama, trysnia dhe rutina profesionale ti jepnin me vete disa bagazhe përcjellëse, një pjesë funksionale dhe të dobishme, një pjesë parazite dhe të paasimilueshme nga letërsia. Në një kuptim të figurshëm, me romanin e parë autori vjen i sigurt dhe, dashje pa dashje, të kujton atë sportistin që hyn në finalet e stadiumit pa kaluar më parë nëpër palestra. Për shpengimin e dytë kam tjetër perceptim. Në mbarë botën shumëkush e di symbyllur se ekziston Aromë Gruaje. Por, siç ma thotë një mendje, ekziston edhe Aromë Letrare. Ndonëse mund të formulohet gjithsesi, kështu më pëlqen ta quaj. Po çfarë është kjo aromë? Janë feremonet e papërsëritshme të stilit të një shkrimtari, tiparet që e individualizojnë dhe e veçojnë menjëherë atë autor. Sikundër ndodh në letërsinë tonë, për shembull, kur lexon romanet e Ismail Kadaresë apo të Mehmet Krajës, poezinë e Azem Shkrelit apo të Dritëro Agollit, etj. Ambasadori i Melkizedekut dhe Përcaktimi i dashurisë së Maria Gjonit, që i kam lexuar më përpara, janë libra me aromë. Ata e bëjnë Veton Surroin letrarisht të ndryshëm mes shkrimtarëve të tjerë. Janë pikërisht feremonet e papërsëritshme që, në një shënim paraardhës, më patën shtyrë që stilit të Surroit ti jap edhe një emër: Stil çekiç. Te Miliarderi kam nisur ta ndiej këtë stil aty nga faqja 98, ku shfaqen enzimat paralajmëruese. Më pastaj, skenë pas skene, përfundon me aromën e ardhshme. Ndjeva kënaqësi sapo e konstatova, duke menduar se sa i vështirë është për shumë shkrimtarë shkarkimi nga vetja e tepërt, në mënyra që ta ruajnë me rreptësi vetjakësinë neto. Ndodh që mjaft autorë, midis tyre emra të njohur, tërë jetën i ndjekin disa rëndesa penalizuese, mbeturina prej shtratit fillestar. Këtë kërcënim të hapit të parë Veton Surroi e ka kaluar lehtësisht. Si për ironi me të jashtmen, titullin Miliarderi, ky roman dëshmon varfërimin e epërm ekonomik. Mirëpo, megjithatë, vjen me paradoksin e brendshëm, atë të pasurimit me risi të prozës sonë.


14 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)