Edmond Tupja 

Ky emër është kaq i përhapur e i mirënjohur në Shqipëri e në pjesën tjetër ...të planetit tonë, saqë çdo njeriu normal nga pikëpamja arsimore e edukative, domethënë kulturore, i sjell ndërmend imazhe të pashlyeshme si, për shembull, atë të Shën Marisë, personazh biblik me kumbim universal. Më afër nesh, ai të kujton atë të këngëtares së dëgjuar Maria Kraja, për nder e në kujtim të së cilës është organizuar tek ne edhe një veprimtari muzikore që mban pikërisht emrin e saj. Këta janë dy shembuj të mirëfilltë të atyre që sociologët i quajnë fakte kulturore.
Unë nuk do të isha kredhur në këtë përsiatje sikur dje gjumin e drekës të mos ma kishte prishur manjetofoni i komshiut përballë, i cili, në mes të vapës, nisi papritur të ulërijë një këngë as të kultivuar, as popullore, por pikërisht atë këngë gabelo-vulgare që ka për refren: "Oh, Mari, Maria, faqegurabija / Oh, Mari, Mariana, faqet me nishana" (Jam i sigurt që Shën-Maria do të kishte ndërruar emër po ta kishte dëgjuar këtë këngë, kurse Maria Kraja as do të kishte denjuar ta interpretonte ndonjëherë edhe sikur ta kishin peshuar me flori apo, në të kundërt, ta kishin kërcënuar me pushim nga puna); prandaj, kur më rastis të ndodhem në ndonjë dasmë, sa herë këndohet kjo biçim kënge, marr vrapin përjashta deri sa tingujt e saj të mos ma ndotin më veshin e zemëruar.
Me sa duket, kultura, kudo e sidomos tek ne, në të gjitha kohët e sidomos aktualisht, ndodhet midis dy zjarresh, midis nënkulturës dhe pseudokulturës. Ndonëse nuk jam sociolog, mendoj se kënga në fjalë është një fakt nënkulturor, kurse të dish përmendësh, fjala vjen, emrat e gjithë futbollistëve brazilianë, anglezë e italianë të viteve '70, '80 e '90, të të dashurave dhe të qenve të tyre, më duket se është një fakt pseudokulturor. Meqë ra fjala për sportin, mua më duket tejet kuptimplotë, për sa i përket konceptit të kulturës që kanë pasur deri para disa vitesh një pjesë jo e pakët e "intelektualëve" shqiptarë, fakti që në disa gazeta të përditshme me tirazh të konsiderueshëm, rubrika "Sport" figuronte para rubrikës "Kulturë". Sigurisht, edhe sporti ka një përmasë kulturore, çdo veprimtari sportive ka një aspekt estetik, ngjall emocione, veçse mua më duket se kultura qëndron mbi sportin sepse, në fund të fundit, ajo është qëllim, ndërsa sporti vetëm mjet. Ç'është e vërteta, sot kultura po identifikohet gjithnjë e më tepër me qytetërimin, ajo përmbledh tashmë tërë aspektet e tij intelektuale, artistike e shpirtërore, vetëm ajo i jep mundësi të mbijetojë shpirtit njerëzor të kërcënuar nga një sërë antivlerash, nënvlerash e pseudovlerash. Pastaj e më thjesht, a nuk thuhet "kulturë fizike" për ushtrimet trupore, por asnjëherë "sport mendor" për veprimtaritë intelektuale, artistike e shpirtërore? A nuk thuhet gjithashtu "mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë" dhe asnjëherë "trupi i shëndoshë me mendje të shëndoshë"?
Gjithsesi, qofshi intelektualë, artistë apo sportistë, tregtarë, punëtorë apo fshatarë, vaksinohuni, ju lutem, si kundër  nënkulturës ashtu edhe kundër pseudokulturës, mos pranoni, edhe sikur të jeni në kulmin e qejfit, të deheni me tingujt e refrenit "Oh, Mari, Maria, faqegurabija / Oh, Mari, Mariana, faqet me nishana".