Korrespondenca, të privilegjuar, maturantët e testuar në lëndët e thelluara


tekst shkollorSipas të dhënave të deritanishme, thuhet se studimet part-time, këtë vit do të nisin më herët se vitet e mëparshme. Kështu, regjistrimet për maturantët që nuk do të arrijnë të shpallen fitues në fazën e parë apo ata që synojnë të ndjekin studimet me korrespondencë do të fillojnë më herët në kohë, përkatësisht pas 13 shtatorit. Me publikimin e librit të transparencës 15-ditëshin e parë të muajit shtator, fituesit e fazës së parë të regjistrimeve në universitete, do të nisin edhe procedurat e tjera të pranimeve të studentëve, në ciklet e tjera të studimit.


Sipas burimeve në Ministrinë e Arsimit do të ketë një mundësi të dytë për të gjithë ata studentë që nuk do të shpallen fitues në listat e para, nëpërmjet rishpërndarjes së kuotave, siç edhe ka ndodhur vit pas viti. Proces që do të nisë fill pas përfundimit të regjistrimeve të fituesve, për fazën e parë.


Pavarësisht se udhëzimi, që do të përcaktojë qartazi detajet teknike dhe procedurat, që do të ndjekin kandidatët e interesuar, nuk është zbardhur ende, mësohet se tashmë udhëzimi është gati. Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit, do të jetë Ministria e Arsimit, ajo e cila do të sqarojnë publikisht sesa herë do të bëhet shpërndarja e kuotave të mbetura pa plotësuar, por burime në MAS thonë se sivjet ka shumë mundësi që të maturantët të kenë në dorë vetëm formularin A2, duke përjashtuar alternativën e një formulari tjetër, çka presupozon një fazë, pas asaj zyrtare.


Për sa u takon studimeve me korrespondencë, sivjet ndryshe nga vjet, regjistrimet pritet të nisin më herët, konkretisht në tetor, jo në muajin dhjetor, si zakonisht. Kriteret dhe kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët që do të aplikojnë në këtë sistem studimi, pritet të hartohen nga dekanatet e fakulteteve, ndërsa brenda muajit gusht do të dorëzohen në Ministrinë e Arsimit.


Mësohet se datat e aplikimit për korrespondencën do të jenë pas 15 shtatorit, ndërsa fazat e tjera të rishpërndarjes së kuotave deri në fillim të tetorit.


Ata që do të favorizohen për studimet me korrespondencë do të jenë kryesisht të rinjtë dhe kandidatët që nuk janë shpallur fitues në Maturën Shtetërore. Do të favorizohen në listat e para maturantët që kanë dhënë provimet me detyrim, matematikën dhe letërsinë, sidomos ato të thelluara, që kanë koeficient më të lartë vlerësimi. Kriteret do të jenë të afërta me ato që respektohen për pranimin në programet respektive me kohë të plotë. Sipas Universitetit të Tiranës, nuk do të pranohen aplikime nga kandidatë të shpallur fitues me Formularët A2 apo A3 (nëse do të ketë një të tillë), të regjistruar në listat përfundimtare. Shpresa Mezini


Ky shkrim MAS: Rishpërndarja e kuotave, sivjet vetëm një fazë u publikua me pare te Gazeta SHQIP.