Nëpërmjet një shkrese dërguar Rektorit të Universitetit “Ismail Qemali”në Vlorë, Ministria e Arsimit i ka kërkuar këtij të fundit të pajisë studentët me diploma të sistemit 4 vjecar. Pasi, ata e kanë filluar cikëlin e studimit përpara hyrjes në fuqi të Kartës së Bolonjës. 

TIRANE-Ministria e Arsimit ka përkrahur kërkesën e studentëve grevistë të universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, për tu pajisur me diploma të sitemit katër vjecar dhe jo me diploma të Kartës së Bolonjës. Ministria e Arsimit bën të ditur se nëpërmjet një shkrese dërguar rektorit të këtij universiteti, i ka kërkuar paisjen e studentëve të juridikut me diploma përkatëse. Në përmbajtjen e kësaj shkrese thuhet se në bazë të Ligjit “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar, studentët e regjistruar në një program studimi para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë dhe përfundojnë studimet me të njëjtin program që kanë filluar.
Studimet 4-vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diploma të sistemit të vjetër, pra si diploma universitare 4-vjecare. Si rrjedhojë këto diploma janë ekuivalente me “Diplomat të Integruara të Nivelit të Dytë” (DND). ”Universitetit ”Ismail Qemali” i Vlorës duhet të pajisë sa më shpejt studentët me diploma në përputhje me përcaktimet e mësipërme të ligjit të Arsimit të Lartë”, thuhet në deklaratën e MASH.
(m.a/BalkanWeb)