Para nisjes së pushimeve, Ministria publikon njohjen e diplomave të huaja për muajin gusht. Në një vit janë njohur rreth 700 diploma





Ministria e Arsimit pak para nisjes së pushimeve ka shpallur konvertimin e diplomave edhe për 46 kandidatë të tjerë.





Brenda një viti, kjo ministri ka njohur rreth 650 diploma të huaja, duke vendosur kështu një rekord si për numrin e diplomave të njohura, por edhe për kohën e shkurtër brenda të cilës është kryer procesi i ekuivalentimit. Për këtë vit është hera e katërt që Ministria publikon rezultatin e punës së Sektorit të njohjeve të diplomave, por jo e fundit.





Gjatë ditës së djeshme, MASH ka njoftuar publikisht se Sektori i Njohjes së Diplomave i ngritur posaçërisht për këtë punë ka njohur diplomat e huaja të 46 studentëve shqiptarë që janë shkolluar jashtë kufijve shqiptarë. Këta aplikantë tashmë kanë mundësi të gjejnë një vend pune duke vënë në zbatim edhe njohuritë profesionale të përftuara në universitete të ndryshme europiane apo edhe të vendeve të tjera.





Është hera e parë që në një kohë kaq të shkurtër, Ministria e Arsimit njeh një numër kaq të madh diplomash të huaja, pasi më parë, për arsye burokratike apo të tjera, numri i njohjeve të diplomave nuk ishte asnjëherë dyshifror. Por kishte vetëm një numër shumë të vogël fatlumësh, të cilëve u njihej diploma e huaj në vendin e lindjes.





Vlen të theksohet se gjatë periudhës nëntor 2009 - gusht 2010 është hera e katërt që MASH konverton një numër kaq të madh diplomash të huaja. Në muajin nëntor, kjo ministri u dha mundësinë e punësimit rreth 204 studentëve shqiptarë që kishin zgjedhur të kryenin studimet e larta në universitet jashtë Shqipërisë.





Më pas, në muajin maj, Sektori i Njohjes së Diplomave, pas shqyrtimit të dosjeve, konvertoi edhe 346 diploma të tjera të huaja, duke e çuar numrin diplomave të ekuivalentuara në rreth 550. Më tej, gjatë muajit korrik u konvertuan edhe 150 diploma të tjera.